Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, "kanë ndodhur ndryshime tektonike".
“Dje populli serb tregoi se kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme, para së gjithash nga bashkësia ndërkombëtare, dhe para së gjithash po i referohem fuqive perëndimore”, tha Vuçiq për gazetarët më 24 prill.
Ai tha po ashtu se zgjedhjet paraqesin “dështim të regjimit të Kurtit”.
“Nën një, zgjedhjet e 23 prillit janë debakël zgjedhor i Kurtit dhe QUINT-it”, deklaroi Vuçiq, duke iu referuar grupit të shteteve ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.
“Nën dy, ky është një rezultat historik sepse nuk ka ndodhur kurrë në tokën evropiane. Nën tre, kjo tregoi unitetin e madh të popullit serb, disiplinën dhe përgjegjësinë e serbëve, gjë që nuk është parë në historinë moderne të kombit tonë”.
Sipas Vuçiqit, zgjedhjet e 23 prillit ishin “referendum” për serbët që jetojnë në veri, për “të treguar se kë nuk duan në veri të Kosovës”, raportoi REL.
Presidenti serb kritikoi ashpër të hënën zyrtarët perëndimorë që ndërmjetësojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke i quajtur ata gënjeshtarë dhe mashtrues dhe tha se pakica serbe në Kosovë nuk do të tolerojë më "pushtimin" e huaj.
Presidenti Vuçiq vlerësoi bojkotin e votimeve nga serbët e Kosovës, duke thënë se përfaqësonte "një kryengritje politike paqësore" kundër "pushtuesve" të tyre.
“Njerëzit tanë në Kosovë kanë treguar se në cilin vend duan të jetojnë”, tha Vuçiq, raportoi Zëri i Amerikës.