Arbëri

Vuçiq: Marrëveshja ligjërisht e obligueshme, por s’lejojmë që Kosova të hyjë në OKB

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa i përket marrëveshjes mbi Planin evropian me Kosovën dhe aneksin e implementimit, ka thënë se ajo është ligjërisht e obligueshme për Serbinë, kur ta nënshkruajë apo pajtohet verbalisht për të.

“Serbia do ta përmbushë dhe do të punojë në gjithçka që ka thënë se do të bëjë, pavarësisht faktit se nuk mendoj që Prishtina do ta formojë Asociacionin e komunave serbe”, ka thënë Vuçiqi të martën në një konferencë për media me ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani, raporton N1.

Ai ka përsëritur se “nuk bëhet fjalë për njohje të Kosovës, pranim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ndërsa mund të flitet për gjithçka tjetër “që çon në raporte të mira me shqiptarët”.

“Serbia s’ka bërë kurrë asnjë truk”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Tajani ka thënë se Serbia ka “rol kyç” në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Kosova dhe Serbia të shtunën në Ohër arritën dakordim për aneksin e zbatimit të Planit bazë për normalizim raportesh. Pavarësisht se ndër pikat aty është që Serbia të mos bllokojë rrugën e Kosovës drejt pranimit në organizata ndërkombëtare, Vuçiqi në vazhdimësi ka thënë se s’do të lejojë pranimin e Kosovës në OKB.

Palët nuk nënshkruan dokumentin, por ndërmjetësi Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, u shpreh se ajo është e obligueshme në bazë të një deklarate të tij. Janë paralajmëruar edhe ndëshkime, nëse nuk ka zbatim të marrëveshjes.

Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ndërkombëtarët të marrin masa ndaj qëndrimeve refuzuese të Serbisë.