Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se e ka prishur marrëveshjen e Brukselit për integrimin e gjyqtarëve serbë në sistemin e Kosovës. Sipas tij, kjo ka ndodhur me suspendimin e gjyqtares Liljana Stevanoviq për shkak të pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë. Teksa ka thënë se s’pret që Kosova të ndryshojë qëndrim, ai ka thënë se Kurti ka përkrahje nga ndërkombëtarët për veprimet që po i ndërmerr.
Ai e ka cilësuar situatën e tensionuar. Vuçiq është shprehur i lumtur “që protesta e serbëve të Kosovës të premten ishte paqësore”.
Të premten serbët protestuan kundër vendimit të Qeverisë të Kosovës që të mos lejohet organizimi i zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe për kthimin në punë të gjyqtares Liljana Stevanoviq që u suspendua për shkak të pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë.
“Kur patëm nënshkruar marrëveshjen e Brukselit, patëm thënë që gjykatësit serbë mund të integrohen në të ashtuquajturin sistem gjyqësor të Kosovës, e patën pranuar. Ata e patën pranuar dhe Albin Kurti s’mund ta prishë marrëveshjen, s’mund t’i zëvendësojë veç pse s’dëshiron ta shohë një grua në Beograd”, ka thënë ai për “Euronews Serbia” të premten në mbrëmje.
Sërish ka përmendur çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke thënë se kjo çështje s’po ngrihet në Evropë “sepse s’janë të interesuar për të”.
“Shumica e shteteve të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën dhe s’janë të interesuar për asgjë. Ata po përpiqen të sjellin Serbinë afër njohjes së Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Vuçiqit, është vetë ai që humb nga mosvotimi në Kosovë sepse “janë 30 mijë deri 50 mijë vota”.
Edhe
Vuçiqi nuk i beson Gjermanisë: Do ta mbështesë gjithmonë Kosovën, “është fëmijë i saj”
Në konkludimin që Kurti s’do të vepronte kështu po të mos mendonte se e ka përkrahjen e Perëndimit, Vuçiqi ka thënë se “është qartë e sigurt se ai e ka përkrahjen e dikujt”. Megjithatë ka shtuar se është mirë që QUINT-i ka dalë me deklaratë për këtë çështje.
“Kosova është fëmijë i tyre, ata e krijuan duke e mbytur Serbinë”, ka thënë ai për përkrahjen e Perëndimit për Kosovën.
I pyetur nëse ka pasur marrëdhënie më të mira me autoritetet e shkuara në Kosovë, Vuçiq ka thënë se “pararendësit e Kurtit kanë qasje më realiste dhe i kanë kuptuar më mirë nevojat e serbëve të Kosovës”.