Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi zyrtar do t’i dërgojë kërkesë komandantit të KFOR-it që të sigurojë hyrjen e ushtrisë serbe në territor të Kosovës “në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”. Megjithatë, ai ka shtuar se e di që një kërkesë e tillë do të refuzohet. Sipas tij, “është mirë që të dihet se një kërkesë e tillë është bërë, ashtu që askush të mos thotë se s’ka ardhur kurrë një gjë e tillë nga pala serbe”.
“Ne do të kërkojmë nga komandanti i KFOR-it që të sigurojë dërgimin e personelit të Ushtrisë dhe Policisë së Republikës së Serbisë në territor të Kosovës”, ka thënë Vuçiqi. Megjithatë ka shtuar se “s’ka as një iluzion” që kërkesa do të pranohet.
Në një konferencë për media të shtunën në mbrëmje, Vuçiqi ka thënë se “pa asnjë bazë” është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq, që nga institucionet e Kosovës po dyshohet për sulme ndaj KQZ-së dhe Policisë.
Vuçiqi ka akuzuar Qeverinë e Kosovës “për frikësim të qytetarëve serbë”.
Në konferencë, ai ka akuzuar Kosovën për mosimplementim të Marrëveshjeve të Brukselit. Ka thënë se edhe pse Kosova nuk po e krijon Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pret që ndaj Serbisë të ketë “presion” nga 17 dhjetori, nëpërmjet përfaqësuesve evropianë.
Presidenti i Serbisë po ashtu ka thënë se më 15 dhjetor, Kosova do të aplikojë për pranim në Bashkim Evropian duke e quajtur këtë si “kolaps të Marrëveshjes së Washingtonit”. Si kundërpërgjigje, Vuçiqi u ka dërguar letër shteteve mosnjohëse të Kosovës.
“U kam dërguar letër presidentëve dhe kryeministrave të pesë shteteve që s’e kanë pranuar Kosovën, sepse në pajtim me nenin 49 të traktatit të Bashkimit Evropian, vetëm shtetet sovrane dhe të pavarura mund të aplikojnë për pranim...”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se i ka falënderuar krerët e Qipros, Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë e Spanjës.
Edhe
KFOR-i as nuk e pohon e as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
Situata në veri të Kosovës është tensionuar ditëve të fundit që kur u sulmuan dhe nuk u lejuan të hyjnë në zyrat e tyre, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në katër komunat ku parashihej mbajtja e zgjedhjeve për 18 dhjetor. Nga e enjtja ka shtim të pranisë të Policisë në veri. Një polic është plagosur si pasojë e një sulmi me armë të gjata në Zveçan.
Sot, e shtunë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vendosi që t’i shtyjë zgjedhjet për shkak të situatës së tensionuar. Në të njëjtën ditë është arrestuar një ish-polic serb i cili dyshohet për sulmet e organizuara në veri. Si protestë serbët kanë bllokuar disa rrugë në veri, e për qarkullim janë mbyllur pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.
Të enjten, Serbia kërcënoi se po shqyrton mundësinë që ta dërgojë ushtrinë në Kosovë.