Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raportohet se ka marrë letrën me përgjigjen e KFOR-it për kërkesën e Serbisë që t’i kthejë 1000 ushtarë në Kosovë, me t’u kthyer nga Greqia ku po qëndronte për pushimet e Krishtlindjes.
“Vuçiqi do të flasë për përgjigjen e KFOR-it, por edhe për përgjigjen e Serbisë dhe hapat e ardhshëm se si do t’i mbrojë serbët në Kosovë, të dielën në mëngjes në orën 10:00 në një intervistë për TV Pink”, ka raportuar tabloidi serb “Informer” bazuar në burime.
Të premten, KFOR-i pati konfirmuar se i ka dorëzuar letër Serbisë pas kërkesës së saj për kthim të ushtrisë në Kosovë, por ka refuzuar ta publikojë përmbajtjen. Letra është mbajtur e fshehtë edhe nga Serbia.
Më 16 dhjetor, Serbia pati dorëzuar kërkesën te KFOR-i për kthim të 1000 ushtarëve të vet në Kosovë. Serbia pati thënë se po kërkon kthimin e ushtrisë për “mbrojtje të serbëve të Kosovës”, në kohën e tensioneve pas vënies së barrikadave në veri të Kosovës.