Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur “impotente dhe të paqartë” Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, teksa ka folur para delegatëve në mbledhjen e përvitshme në New York të mërkurën në mbrëmje, sipas kohës amerikane. Vuçiq ka thënë se e përkrah integritetin territorial të Ukrainës, në kohën kur po pushtohet nga Rusia.
Vuçiqi ka shtuar se Serbia, nën kushtet e së drejtës ndërkombëtare, ka të drejtat e njëjta të luftojë “kundër pavarësisë së Kosovës”, si Ukraina për territoret e pushtuara nga Moska, shkruan Associated Press.
“Ne po kërkojmë përgjigje të qartë në pyetjen që ua kam bërë shumë liderëve të shumë shteteve. Cili është dallimi mes sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe sovranitetit e integritetit territorial të Serbisë, që në mënyrë vulgare u shkel dhe për të cilin ju ofruat njohje ndërkombëtare dhe legjitimitet? Të paktën disa prej jush”, ka thënë Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Republika e Serbisë dhe unë, si president i saj, kërkojmë me shumë durim dhe vullnet kompromis për ‘Kosovën dhe Metohinë’ nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe brenda dialogut Beograd-Prishtinë. Është proces i vështirë. Ka zgjatur më shumë se 10 vjet, por nuk shohim alternativë tjetër. Është më mirë të negociohet për 100 vjet se të bëjmë luftë për një ditë të vetme. Shpresoj se do të arrijmë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht të bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht mënyra e vetme për të arritur qëllimin tonë, që është paqe afatgjate si parakusht për jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në tërë rajonin”, ka shtuar ai.
Serbia është i vetmi vend që kërkon pranim në Bashkimin Evropian e që ka refuzuar t’i bashkohet Perëndimit në sanksionet kundër Rusisë. Vuçiqi tashmë njihet për lidhjet miqësore me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Madje Beogradi është kthyer në destinacion të preferuar të rusëve gjatë luftës. Deri 50 mijë rusë kanë ikur drejt Serbisë që kur ka nisur pushtimi në shkurt. Rusët s’kanë nevojë për viza për të shkuar në Serbi.