Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçeviq: Serbia do t'i përgjigjet marrëveshjes ushtarake Kosovë-Turqi

Millosh vucevic

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka thënë se Serbia është e shqetësuar për marrëveshjen ushtarake midis Kosovës dhe Turqisë, teksa ka shtuar se Serbia po e monitoron nga afër atë që po ndodh dhe se do të ketë përgjigje adekuate, raportoi të martën mediumi serb “Danas”.

"Jo vetëm politikisht, por do t'i përshtatim kapacitetet tona me të gjitha sfidat, rreziqet dhe madje edhe rreziqet për atdheun tonë, sepse lind pyetja për kë? Për një ushtri tjetër shqiptare, de facto, kur shikon përbërjen etnike", ka thënë Vuçeviq para gazetarëve në kazermën Topcider të Beogradit.

Sipas tij, kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe përbën "shkelje të drejtpërdrejtë të të gjitha normave të së drejtës ndërkombëtare”.

"NATO-ja nuk bashkëpunon institucionalisht me të ashtuquajturën Forca e Sigurisë së Kosovës, ajo nuk merr pjesë si aleancë në transformimin e asaj që e quajnë Forcat e Armatosura të Kosovës, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e tyre”, ka shtuar ai.

Sipas tij, diskutimet në Kosovë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak po e komplikojnë situatën edhe më shumë.