Tri ditë pas vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan të Deçanit, Prokuroria Speciale si institucioni më i lartë i hetuesisë nuk e ka marrë në trajtim këtë rast.
E në raste të vrasjeve si këto, sipas njohësve të fushës se drejtësisë, lënda do të duhej të trajtohej me seriozitet të shtuar në 72 orët e para, e lënda të ishte në kompetencë të Prokurorisë Speciale.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka folur për domosdoshmërinë e trajtimit të këtij rasti nga ky institucion.
“Një rast i tillë ku pat reagime nga mediat ndërkombëtare por edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë që janë në Kosovë por edhe në Bruksel, kërkon që kjo lëndë të këtë përkushtimin maksimal të institucioneve, ku ky përkushtim duhet të fillojë nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale”, ka thënë Miftaraj.
KOHA e ka kontaktuar Prokurorinë Speciale, për këtë çështje, por nga ky institucion kanë deklaruar që i takon kryeprokurorit të Shtetit që të vendosë nëse ky rast duhet të vazhdojë të hetohet nga Prokuroria në Pejë apo të kalojë në kompetencë të tyre.
Megjithatë, Ligji për Prokurorinë Speciale i jep kompetencë edhe kryeprokurorit që të kërkojë një gjë të tillë.
“Në rast se kryeprokurori i PSRK-së pajtohet që raporti penal ose lënda sipas paragrafit 3 të këtij neni në mënyrë të arsyeshme bie në kompetencë të veçantë të PSRK-së, atëherë kryeprokurori publik do t’ia dërgojë raportin penal ose lëndën së bashku me të gjitha dokumentet dhe dosjet përkatëse kryeprokurorit të PSRK-së”, thuhet në Ligjin për Prokurorinë Speciale.
Aktualisht këtë rast në kompetencë e ka Prokuroria e Pejës.
Por sipas Miftarajt, nga qindra vrasje të pasluftës që nuk janë zgjidhur, më së shumti lëndë që nuk kanë marrë epilog janë pikërisht nga kjo prokurori.
“Nëse për këto 72 orë veprimet hetimore nuk kryhen si duhet, mundësitë që rasti të zbardhet zbehën me kohën. Për këtë arsye që Prokuroria Themelore në Pejë nuk shquhet se ka pasur as ekspertizë as efikasitet në zgjedhjen e vrasjeve në rajonin e Pejës atëherë Prokuroria Speciale do të duhej të dëshmonte profesionalizëm”, ka shtuar Miftaraj.
Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona - në mesin e tyre dy nxënës, mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në fshatin Gllogjan.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë, kanë thënë se janë duke hetuar 2-3 pista që mund të çojnë në zbardhjen e motiveve të kësaj vrasjeje, por ende nuk ka person të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë.