Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e zëshme në dënimin e gjuhës kërcënuese ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb, që nisi si fushatë në rrjete sociale kundër këtyre policëve që nisën shërbimin në veri në fillim të javës.
Vrajolli ka thënë në Interaktiv në KTV se duhet të vinë reagime direkte nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, një reagim çfarë u bë për tensionet në veri, duhet të bëhet edhe tash për kërcënimet që kanë ardhur nga përdorues serbë.
“Duhet të identifikohet kush janë individët që kërcënojnë, prej nga vijnë, nëse vijnë nga jashtë Kosovës duhet të gjenden mekanizma për të censuruar mediumet që përhapin këto postime kërcënuese. Komuniteti ndërkombëtar në këtë rast duhet të jetë më i zëshëm, kryesisht reagimet kanë ardhur nga QUINT-it, por jo reagime të drejtpërdrejta siç ishin ato për zhvillimet e majit apo qershorit të pjesës veriore që ishin dënime të veprimeve të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Vrajolli ka shtuar se heshtja e zyrtarëve ndërkombëtarë ndaj këtyre kërcënimeve i trimëron akterët për veprime destabilizuese në Kosovë.
“Reagimet të majit e qershorit ishin drejtpërdrejt ndaj Qeverisë së Kosovës nga zyrtarë të BE-së, zyrtarë që janë të përfshirë në dialog, në këtë rast heshtja e tyre i trimëron akterët që janë mjaft aktivë në destabilizimin e Kosovës. Raporti Kosovë-Serbi duhet të shihen në disa prizma, komuniteti ndërkombëtar duhet ta rishikojë qasjen e tyre - Lajçak, Borrell, Escobar - zhvillimet e tilla duhet të dënohen ashpër që në një formë të dekurajojë këta akterë që mundohen ta fuqizojnë destabilizimin e Kosovës”, ka theksuar ai.
Vrajolli ka folur edhe për kapacitetet ushtarake të Kosovës dhe blerjen e dronëve Bajraktar nga Turqia. Ai ka theksuar se blerja e këtyre dronëve është i duhur marrë parasysh ambiciet e Serbisë ndaj Kosovës.
Edhe
Vrajolli: Qeveria do të duhej të koordinohej me ndërkombëtarët për veprimet në veri
“Ushtria e Kosovës duhet t’i rritë kapacitetet dhe duhet të jetë i mirëseardhur, megjithatë Kosova është e cenueshme në nivel të sigurisë nacionale për faktin që shteti fqinj që ndan kufirin nuk e njeh Kosovën dhe ka ambicie për ta riokupuar. Ky veprim duhet të shihet si i natyrshëm, nga ana tjetër Kosova është e ruajtur nga KFOR-i”.
Ai ka deklaruar se Kosova duhet të ketë sasi sa më të madhe të armatimit që të njihet si akter relevant. Megjithatë, ka shtuar se duhet të shtojë pajisje për vëzhgim e mbikëqyrje të vijave kufitare, ku mund ta vëzhgojë situatën me Serbinë në kufi pa qenë prezentë e pa rrezikuar.
“Ajo që mund të vëmë në pikëpyetje, është a ka qenë ky investimi më i nevojshëm për tani, kjo mbetet të vlerësohet si prioritet apo jo nga ana e Qeverisë. Institucionet duhet të kenë më shumë pajisje të vëzhgimit, mbikëqyrjes së vijave kufitare sepse kërcënimi jodomosdo është kërcënimi ushtarak i Serbisë, por është futja e eksponentëve që e rrezikojnë Kosovën”, ka thënë Vrajolli.