Arbëri

Vonesat në verifikimin e votuesve rrezikojnë arritjen e votave nga jashtë

Vota për zgjedhjet e 14 shkurtit rrezikohet t’iu shpallet e pavlefshme qytetarëve, të cilët jetojnë jashtë Kosovës, e që ende nuk janë verifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Bekir Murati, që tash e 30 vjet jeton në Gjermani, është njëri prej tyre. Përkundër se thotë që ka respektuar të gjitha afatet e caktuara, Murati ende nuk është telefonuar nga KQZ-ja.

“Unë mendoj që shumë vështirë është për me mbërri në kohë se në qoftë se kam thirrje prej 2-3 ditëve deri ta shkarkoj aplikimin deri ta dërgoj në postë... unë të gjitha i kam bërë me kohë, por vota ime nuk do të jetë me kohë”, ka thënë Murati.

Sikurse Murati, edhe Fatmir Krasniqi ka të njëjtën brengë. Përmes telefonit ai i ka thënë KOHËS se është pa kënaqur me mënyrën e trajtimit nga institucionet kompetente.

“Ata nuk po duan që bashkatdhetarët me votu. Kam qejf që vota jem me shku në vendin e duhur. Bëj apel që votat e çdonjërit me shku në vendin e duhur”, ka pohuar Krasniqi.

Kritika ndaj KQZ-së për mosarritjen e verifikimit në kohë të votuesve nga jashtë kanë edhe monitoruesit e procesit zgjedhor.

Eugen Cakolli, nga Demokracia në Veprim, thotë se deri më tani, sipas të dhënave preliminare, nga 100 mijë aplikacione të aprovuara, nuk janë telefonuar 10 për qind e aplikuesve.

“Ne kërkojmë nga KQZ-ja që të vijojë me verifikimin e të gjithë personave, mirëpo të kujdeset që verifikimi i këtyre personave të mos ketë ndonjë ndikim në ndonjë prej operacioneve të tjera zgjedhore të cilat është dashur të fillojnë brenda periudhës së përcaktuar kohore”, ka deklaruar Cakolli.

Të martën, përmes një konference për media, anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, kanë adresuar kritika të ashpra lidhur me mosrespektimin e afateve nga ky institucion.

Sipas Sami Kurteshit e Alim Ramës, KQZ-ja ka kryer vepra penale.

“Ne kërkojmë që me gjithë aktgjykimin e Kushtetueses që e ndalon këtë që KQZ të kërkojë dhe të mundësojë lejimin e arritjes së votave pas ditës së zgjedhjeve në Kosovë, sepse vetë KQZ-ja i ka shkelur afatet që i ka përcaktuar vetë”, ka thënë Kurteshi.

“Në procesin zgjedhor proceset janë zinxhirore, me procesin në njërin proces ndikohet në të gjitha proceset më tutje...”, ka shtuar anëtari tjetër i VV-së në KQZ, Rama.

Të martën, ka filluar të rrjedhë afati prej 11 ditësh brenda të cilit qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës, e të cilët janë konfirmuar nga KQZ-ja, duhet t’i dërgojnë fletëvotimet. Përkundër kësaj, procesi i verifikimit të tyre ende është duke vazhduar.

Të njëjtat duhet të arrijnë 24 orë para datës së zgjedhjeve, më 14 shkurt, ndryshe nuk do të numërohen.