Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë Prishtinën më 26 tetor, në kuadër të një turneu nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, von der Leyeni është paraparë të ketë takime me presidenten Vjosa Osmani e me kryeministrin Albin Kurti.
Ajo turneun në Ballkan do ta nisë të mërkurën me vizitën në Shqipëri, prej ku do të udhëtojë për në Maqedoni të Veriut dhe më pas edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi.
E prej Kosovës, ajo do të udhëtojë për në Mal të Zi.
Sipas paralajmërimeve nga Komisioni Evropian, gjatë vizitave von der Leyeni do të përqendrohet në ndihmën që Bashkimi Evropian ua jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe të përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.