Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia të përafrojnë pozicionet e tyre në dialog në javët e ardhshme.
Në një konferencë për media të martën, Von Cramon ka deklaruar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurit, për dialogun në përgjithësi, dhe jo për ndonjë çështje specifike.
“Natyrisht se kemi folur për dialogun dhe për tërë portofolin e dialogut dhe po ashtu për procedurën e tij si të merret me çështjen e dialogut, por nuk jemi fokusuar vetëm në një specifike. Asnjëherë nuk i kam takuar personalisht më përpara dhe presim që të dyja palët t’i ngrenë pritjet e tyre shumë lartë. Shpresoj që në javët e ardhshme do të shohim një ngushtim të pozicioneve, një afrim të pozicioneve dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes negociatave”, është shprehur ajo.
Tutje Von Cramon ka kritikuar Francën për qëndrimin e saj skeptik për çështjen e liberalizimit të vizave. Ka thënë se një qëndrim i tillë është për keqardhje dhe “po bën gabim”.
“Mendoj që janë dy çështje të ndryshme. Kosova ka pasur një katalog të qartë të kritereve për të marrë liberalizimin e vizave. Ai katalog është plotësuar, kanë punuar në çështjet e sigurisë, pse të mos i jepet kjo Kosovës? Çështja e dytë është normalizimi. Nuk mund të ktheheni pas 3 viteve dhe t’i lidhim ato. Mendoj që BE-ja nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë, mendoj që Kosova i ka përmbush kriteret, e ka bërë punën e tyre dhe mendoj që është koha e BE-së dhe kështu BE-ja po e humb kredibilitetin për këtë arsye e kam kritikuar shumë presidentin Emmanuel Macron”, ka deklaruar ajo për qëndrimin e Francës për liberalizimin.
Ajo ka theksuar se Qeveria aktuale po punon që disa shtete ta njohin Kosovën, duke thënë se shpreson që Kosova të këtë sukses në këtë.
“Kur është çështja te kolegët e mi është saktësisht ajo që unë po ju them; pse nuk shkoni në Kosovë. E shoh që asgjë nuk do të na pengonte që të integrojmë Kosovën në familjen evropiane në këtë drejtim mendoj që është çështje e juaja, e gjeneratave të reja që të punoni dhe për ata që jetojnë jashtë Kosovës po bëjnë një punë të mirë mendoj që integrimi më i madh i diasporës më shumë këtë që ti mirëpresim, mendoj që është një hap i madh përpara”, ka shtuar ajo.
Duke folur për marrëveshjen e Uashingtonit, Cramon ka deklaruar se nuk është e sigurt nëse BE-ja e ka përkrahur atë.
“Deri më tani bashkëpunimi është duke shkuar shumë mirë sa i përket harmonizimit te marrëdhënieve. Do të dëshironim të shihnim që edhe nëse letrat dhe marrëveshjet të rishikohen. Është mirë që të kemi ide të reja që të ngrihen, por natyrisht që nuk mund të jeni kundër marrëveshjeve ekzistuese”, ka shtuar ajo.