Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Von Cramon: Kemi kërkuar nga Qeveria e re përqendrim në dialogun me Serbinë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se i ka kërkuar Qeverisë së re në krye me kryeministrin Albin Kurti, që të ketë përqendrim të plotë në dialogun me Serbinë

Von Cramon në një konferencë për media shpjegoi në pika të shkurta raportin e dërguar në Parlamentin Evropian për Kosovën për vitin 2019/20. Ajo shtoi se liberalizimi i vizave është një çështje urgjente që duhet të zgjidhet sa më shpejt për qytetarët kosovarë. 

“Kemi prezantuar draft-raportin në nëntor, ndërsa tani e kemi prezantuar të plotë për dy vite 2019/2020. Kemi pasur bashkëpunim tejet të madh mes të gjitha grupeve nëpër takimet dhe e kanë përmbushur raportin me bashkëpunimin e tyre. Kemi përcjell mesazhin e artë për Kosovën dhe integrimin e Kosovës, të ardhmen e saj. Ka ende probleme para ndesh. Luftimi i korrupsionit është i nevojshëm. Është punë që duhet të shtyhet përpara nga qeveria e re që duhet të punojë për rend dhe ligjt. Liberalizimi i vizave është një çështje urgjente. Sot edhe një herë tjetër, i kemi adresuar Parlamentit Evropian se sa e nevojshme është liberalizimi i vizave për kosovarët. Qeveria e re duhet të angazhohet për dialogun. Kemi parë në javët dhe muajt e kaluar që është bërë progres dhe do të donim që ky proces të vazhdojë në javët dhe muajt në vijim. Dialogu është parakusht për rrugën drejt BE-së. Marrëveshja me Serbinë është shumë e rëndësishme për integrimet evropiane”, deklaroi Von Cramon.

Von Cramon në fund i bëri thirrje spektrit politik në vend që të zgjidh edhe çështjen e presidentit sa më shpejt.

“Po ashtu shpresoj që të votohet presidenti i ri, që duhet të ndodhë shumë shpejt dhe të mos ketë shkuarje nga zgjedhjet në zgjedhje”.