Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka treguar se Qeveria e Kosovës ka një propozim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Në “Interaktiv” të KTV-së ajo e ka cilësuar si të mirë lëvizjen për këtë çështje. Megjithatë, ka refuzuar të japë detaje për çfarë propozimi bëhet fjalë.
Sipas saj, para se të arrihet marrëveshja finale duhet që shtetet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme, përfshirë atë të Asociacionit.
“Mendoj se ajo çfarë kam dëgjuar është se kjo është duke ndryshuar së fundmi. Dhe ky është një lajm i mirë sepse kjo është ajo çfarë nga duhet. Na duhet një koncept i formësuar i palës kosovare rreth Asociacionit”, ka thënë ajo kur është pyetur për të komentuar reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kur është diskutuar për Asociacionin.
Ndryshimin e qëndrimit të Kosovës për këtë çështje ajo e ka parë si pjesë të kompromiseve.
Teksa ka thënë se s’ka lajme të tjera për Asociacionin, Von Cramon ka shtuar se informata vjen nga “tjetërkah”.
Sipas saj, nuk ka qenë gjë e mençur që Kosova ta kundërshtojë Asociacionin.
KOHA: Pra, një informatë që Qeveria e Kosovës mund të ndryshojë qëndrimin e saj rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Von Cramon: Jo që do të ndryshojë pozicionin për Asociacionin, por mund të vijë me një propozimin të saj për Asociacionin që do të ishte një gjë e mirë.
KOHA: Mirë. Ju kuptova. Ky është një lajm i ri, meqë e kemi parë një kundërshti të Qeverisë së Kosovës.
Von Cramon: Dhe nuk mendoj se është një gjë e mençur.
KOHA: Të kundërshtosh në tërësi marrëveshjen për Asociacionin?
Von Cramon: Absolutisht që po.