Shumëkush është zënë në befasi me vendimin e së martës të ekzekutivit për nisjen e procedurave për privatizimin e Telekomit të Kosovës.
Ky gjigant ekonomik, që dikur ishte një nga ndërmarrjet më profitabile, e që në tri vjetët e fundit ka punuar me humbje nga 8 deri në 52 milionë euro në vit, rrezikon që si faj i krizës të shitet me çmim tejet të ulët, raporton KTV.
Për këtë, tashmë qeveria tha se ka të interesuara disa kompani nga Evropa e Amerika.
Anëtarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Mimoza Kusari-Lila, thotë se kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ka treguar as ide e as strategji të re, por krejt çka është bërë deri tash, sipas saj, është lufta mes forcave se kush po e eksploaton më egërsisht Kosovën.
Në shumë deklarime, kryeministri kishte thënë se nuk mund t’i lejojë gabimet e së shkuarës për këtë ndërmarrje, por Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane, thotë se gabimet nuk mund të shmangen nëse veprimet janë të tilla e pa paralajmërim.
Zeka thotë se vendimi për privatizim është i mirëseardhur sepse është e vetmja mënyrë për të kthyer profitabilitetin e kësaj ndërmarrjeje, por bën thirrje për kujdes.
Edhe
Telekomi i Kosovës mes privatizimit dhe falimentimit
Sipas tij, asnjë investitor nuk do të japë një vlerë të madhe për një ndërmarrje që operon me humbje kaq të mëdha.
Ndërkohë, Arton Demhasaj nga “Çohu”, thotë se ka rrezik të madh që kjo ndërmarrje të privatizohet me një çmim simbolik.
KTV-ja ka provuar të marrë qëndrim edhe nga Bordi i Telekomit, por drejtoresha Besa Shatri, ka thënë se nuk di shumë detaje rreth vendimit të qeverisë, prandaj ka zgjedhur të mos flasë për këtë çështje.