Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vjeshta sjell turistët në malet shqiptare

Vjeshta ka ulur numrin e turistëve në bregdet, por jo të atyre që preferojnë ecjen në natyrën e bukur dhe peizazhin shqiptar. Kështu shprehen punonjësit specialistë të guidave malore në Administratën e Zonave të Mbrojtura të Beratit.

Punonjësit e kësaj administrate çdo ditë janë në aktivitet në qendrën e tyre të “Pritjes së Vizitorëve”, për të udhëzuar dhe shoqëruar vizitorët e ndryshëm që ngjiten drejt peizazheve vjeshtore në faqet malore të Tomorit.

Së fundmi ata shoqëruan një grup turistësh gjermanë prej 14 vetash, që me mjetet e tyre kishin për guidë lëvizjen nga Berati, në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit dhe më pas, nëpërmjet lumit të Tomoricës udhëtuan drejt Gramshit ku u ndalën në Ujëvarën e Sotirës e më pas vazhduan në destinacionin e tyre.

“Gjatë lëvizjes në zonën e Kulmakut në malin e Tomorit, kontaktuam dhe ndihmuam në lëvizjen me mjetet e tyre drejt majës jugore të Malit të Tomorrit tre grupe turistësh: një çift çekësh, një çift hungarezësh dhe tetë polakë në dy makina, të cilët i orientuam në drejtimin e kërkuar prej tyre”, – thotë Fatos Nako, Drejtor i AdZM Berat.

Nën këmbët e malit madhështor të Tomorrit, ndodhen disa fshatra malore, që tashmë janë kthyer në kuriozitete për turistët e aventurës, historisë dhe të mitologjisë. Këtu ndodhen Dardha, Qaf-Dardha, Perisnaka, Kostreni i Madh, Bogdani… Bukuritë përrallore të kësaj zone nuk mund të rrëfehen pa i parë me sy. Ndër to, dy liqene në rrëzë të malit, 1100 metra mbi nivelin e detit, të mbushur dimër e verë plot me ujë e gjallesa ujore.

Peizazhet janë befasuese me ujëvara, burime, liqene e shkëmbinj të thepisur. Ka disa liqene akullnajore, ku në krye të tyre ndodhet “Sheshi i Shën-Pjetrit”. Rreth e përqark tij bëjnë hijeshi pishat.

Pak me tej gjenden rrënojat e një qyteze të çuditshme, me themele dhe murana që nuk dihet kush i ndërtoi dhe kush i shkatërroi. Qyteza ende pret arkeologët të vendosin emra dhe mbiemra, të caktojnë ditëlindje dhe ditëvdekje.

Edhe 300 mijë turistë brenda pesë muajve në Kosovë, shumë prej tyre të keqinformuar nga vendet fqinje Arbëri 1 j. më parë 300 mijë turistë brenda pesë muajve në Kosovë, shumë prej tyre të keqinformuar nga vendet fqinje

Në Qaf-Dardhë ndodhet edhe çezma e Tarikos, ku udhëtarët shuajnë etjen dhe shlodhen duke marr udhëzime për vazhdimin e mëtejshëm të itinerarit. Aty në një pllakë guri shkruhet: “Pini ujë dhe uroni/ Tarikon ta kujtoni/ Jam e ëma e Demirit/ Mbeta garibe (e vetmuar) nga dora e qafirit”.

Fatosi thotë se: ”Ishte kënaqësi kur i shihje që ishin goxha të informuar dhe me guida të vetpërcaktuara prej tyre që më parë. Kjo tregon që informacionet për zonat malore mund t’i gjesh lehtë në internet”.

E verdha vjeshtore ka trokitur kudo, turistët pasionant të kësaj panorama po vërshojnë dhe Shqipëria po futet fort në tregun turistik edhe në guidat e peizazhit natyror.