Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vjehrri me të renë në një Ambasadë

Shpend Kallaba dhe Bubulina Krasniqi janë në raport familjar: vjehërr-re. Duke pasur lidhje të forta me njerëz të politikës, të dy kanë mbërritur të bëhen diplomatë dhe pushteti i Kosovës është përkujdesur prej vitesh që ata të shërbejnë brenda të njëjtit mision diplomatik, shkruan sot Koha Ditore.

Aktualisht, të dy janë pjesë e Ambasadës së Kosovës në Budapest, ndërsa përpara se të dërgoheshin në këtë mision, kishin shërbyer në Sofje.

Bubulina Krasniqi është motër e Memli Krasniqit, një nga eksponentët kryesorë në Partinë Demokratike (PDK), e cila ka qenë forca më e madhe në pushtet që nga fundi i vitit 2007. Në fund të vitit 2011, kur i vëllai ishte ministër në Qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi, ajo ishte punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si “zyrtare e lartë për organizata ndërkombëtare”. Më pas i ishte dhënë grada “këshilltare” dhe ishte dërguar në Ambasadën në Bullgari.

Në vitin 2011, PDK-ja ndodhej në koalicion me Aleancën Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit, një nga këshilltarët e të cilit ishte edhe Shpend Kallaba. Pasi zgjedhjen e tij president e shpalli antikushtetuese Gjykata Kushtetuese, Pacolli u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Nga kjo cilësi, ai e propozoi Kallabën për ambasador në Bullgari. Nga prilli i vitit 2012, ai është ambasador.

Rreth dy vjet pasi ishte dërguar në Ambasadën në Sofje, Bubulina Krasniqi ishte martuar me Pëllumb Kallabën, djalë i ambasadorit të misionit ku ajo shërbente.

Autoritetet shtetërore janë përkujdesur që diplomatët në lidhje familjare - vjehërr dhe e re - të mos i ndajnë as para një viti, kur dy institucione të ndryshme kanë marrë vendime gati të njëkohshme për lëvizjen e shefave të misioneve diplomatike e edhe të disa prej anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm.

Edhe Delfin Pllana ambasador i ri i Kosovës në Hungari Arbëri Delfin Pllana ambasador i ri i Kosovës në Hungari

Sërish eksponentë kryesorë të vendimmarrjes janë Thaçi, që tash është presidenti, dhe Pacolli që, si gati një dekadë më herët, është zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. “Koha Ditore” ka siguruar dokumentet që e dëshmojnë këtë.