Sikur të mos ekzistonin lidhshmëritë e dëshmuara dhe simpatitë e dokumentuara të Sinisha Mihajloviqit për çetnikun dhe vrasësin Arkan dhe sejmenët e tij, aq më bën mua se kë e simpatizon Edi Rama. Por, më dhemb kur ai këtë simpati e shfaq nga pozita e kryeministrit të shtetit shqiptar. Cinikët të cilët më thonë ta ndaj sportin dhe kulturën nga përditshmëria politike i pyes se ku gjenden Haki Misini, Mehmet Tupella e shumë artistë dhe sportistë të cilët u ekzekutuan në luftën e fundit, për të vetmin fakt se ishin shqiptarë
Këta muajt e fundvitit sa vijnë e bëhen më të nxehtë, jo nga ngrohja globale, por nga zhvillimet politike në trevat tona e zhvillimet nëpër botë.
U.d. e presidentes, Vjosa Osmani, kishte shkarkuar të mërkurën katër të emëruar në pozita konsujsh në vende të ndryshme, emërime që nuk janë bërë konform ligjit dhe rregullores. Arsyeshmëritë e shkeljeve të rregullores në procesin e këtyre emërimeve i ka sqaruar edhe u.d. e presidentes. Ajo shpjegoi se, sipas rregullores, nuk lejohet të ketë një konsullatë në të njëjtin qytet ku veçse është prezente ambasada, si dhe shkelje të tjera procedurale gjatë emërimeve dhe dekretimeve.
Mirëpo, si edhe në çdo segment të realitetit kosovar, politika e ndyrë dhe politikëbërja e mbrapshtë, përveç faktit se nën kthetrat e saj e futi çdo kompani publike e shoqërore, çdo institucion e organizatë qeveritare, shëndetësinë, arsimin e gjyqësisë, të gjitha këto i shndërroi në vlera për këmbim të lojalitetit dhe servilitetit partiak për militantët dhe ‘bosat’ partiakë. Përfituesit natyrisht na dolën familjarët e këtyre të parëve, kryesisht, e më pas edhe lidhjet e ngushta të interesave meskine.
Edhe reagimet e të prekurve nga këto vendime të u.d. së presidentes ishin të menjëhershme. Reagoi deputeti Haxhi Shala e reagoi i biri i tij i emëruar konsull në Pragë të Çekisë, Flakron Shala. Reagoi edhe i ati i Bledi Kilajt i emëruar konsull në Lublanë, Isni Kilaj. Ky i fundit ishte shumë konfliktuoz me veten e tij përbrenda reagimit të vet. Aty thoshte se kishte kohë që ky dekretim kishte dështuar, se djali i tij nuk kishte punuar në atë pozitë asnjë ditë të vetme. Nga kjo ma linte të kuptoja se z. Kilaj paska qenë në dijeni që diçka nuk ka qenë ligjërisht e qëndrueshme me atë dekretim apo emërim dhe reagimi i tij për anulimin e atij vendimi nga ana e znj. Vjosa Osmanit është vetëm zhurmë publike dhe vazhdimësi e luftimit politik ndaj Vjosa Osmanit dhe proceseve transparente e ligjore në Republikën e Kosovës.
Çmimi i lartë i gjygymit të çajit të pirë në mesnatë në shtëpinë e deputetit Haxhi Shala nga ana e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj doli në pah. Së paku njëra pjesë e atij çmimi. Ishte dekretimi dhe emërimi i djalit të deputetit Shala nga Akademia Diplomatike e Malishevës për postin e konsullit në Pragë.
Arsyeshmëritë e të "dekretuarit" se paska përvojë menaxheriale dhe qenka qytetar me mentalitet evropian, thënë më së buti, ishin naive e për të qenë i sinqertë ishin ofenduese për secilin qytetar të Kosovës. Gënjeshtra dhe mashtrimi në atë deklarim nuk kishin konsistencë, diku thoshte se ishte menaxher për 3 vjet, diku tjetër për 5 vjet, e me një hulumtim 2-minutësh në Google rezulton se ai ishte emëruar në postin e menaxherit për Kosovë dhe anëtar i bordit nga kompania "Elanor a.s" e Çekisë në shtator të vitit 2020. Deri atëherë kishte qenë vetëm një punëtor i thjeshtë i saj.
Po ashtu, me një hulumtim tjetër disaminutësh, mund ta kuptosh se CEO i kompanisë “Elanor a.s.” qenka Filip Bushina (kryeshef ekzekutiv), në të cilën kompani qenka i punësuar edhe konsulli ynë i ri prej vitit 2018. Zotëri Bushina qenka i dënuar me disa vite burg për evazion fiskal, për krijimin e kompanive fantome me drejtues kukulla të cilët kanë mbajtur pozita të larta në kompanitë e reja, mirëpo nuk kanë pasur lidhje se cilat janë detyrat e tyre, pagesa paushalle për këto kompani, etj. Bëhet fjalë për pagesa në vlerë deri në 100 milionë euro. (Këtë hulumtimin e fundit e huazova nga statusi i mikut tim në Facebook, Valon Zherka).
Ofendimin e radhës e pata kur i "dekretuari" mundohet që CV-në e tij ta begatojë me përvojën e shpifur menaxheriale dhe duke e lënë të hapur çështjen se është në konflikt direkt interesi - edhe biznesmen, edhe konsull në të njëjtën kohë, në të njëjtin shtet dhe në kompaninë e atij shteti ku ky do të duhej të shërbente si konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës.
Përndryshe, kjo i bie edhe fyerje ndaj nikoqirëve ku ne dërgojmë këso lloj përfaqësuesish diplomatikë.
Cili është mesazhi të cilin e përçojmë ne nëpër botë me këso lloj sjelljesh tona?
A kemi krijuar shtet për të cilin ia kanë vlejtur ndihmat, donacionet, intervenimet e shteteve të tjera me paratë e taksapaguesve të tyre?
Raportet e ndryshme të Këshillit Evropian për luftimin e korrupsionit në vend, mosliberalizimi i vizave, në fakt çdo vit e më shumë vetëm sa shtohen dhe vështirësohen procedurat për qytetarin e Kosovës për të lëvizur lirshëm në ndonjë vend evropian dhe për të aplikuar suksesshëm për një vizë.
E kam thënë edhe shumë herë të tjera në Ditarin tim më parë, në mungesë të fajtorëve kujdestarë të cilët na përcollën gjithmonë gjatë historisë, kjo e shtetndërtimit tonë është faj kryekëput i yni dhe aty askënd nuk mund ta fajësojmë. Barrën kryesore e bartim ne vetë. Lejuam që dilinxhinjtë, hajnat dhe dallaveraxhinjtë të na qëndisin fatin tonë dhe të vendit, u mjaftuam me një rrogë diku dhe që neve personalisht askush të mos na prekte. Tashmë kanë arritur faturat për t’u paguar dhe vazhdimi i zhytjes së kokës nën dhe në stilin e strucit nuk ndihmon, as nuk e amniston asnjërin nga ne. Çmimi dita-ditës po bëhet më i lartë dhe një ditë do të jetë edhe fare i papërballueshëm e i dhimbshëm për të gjithë ne.
Inteligjencën nuk na e ofenduan vetëm këta të cilët reaguan kundër vendimit të u.d. së presidentes Vjosa Osmani. Atë na e ofendoi me kabile edhe kryeministri ynë i urtë dhe i matur Avdullah Hoti.
Ai deklaroi se emërimi i konsullit të gjygymit të çajit të mesnatës ishte bërë pa dijeninë e tij. Në kopjen e dekretit të publikuar e të nënshkruar nga ish-presidenti Hashim Thaçi është e shënuar se e njëjta u ishte dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme si dhe Zyrës së Kryeministrit. E kuptoj se ndoshta Hashimi dhe Ramushi nuk i kanë treguar për premtimin të cilin ata ia kanë bërë deputetit Shala në gjysmë të natës në këmbim të votës së tij për votimin e qeverisë së Avdullah Hotit kryeministër, por që po ia pinin cigaren tinëz edhe përbrenda zyrës së vetë kryeministrit Hoti, këtë më vjen vështirë ta pranoj si të mirëqenë.
Kryeministri Hoti shpresoj që është në dijeni se ministrja e tij e Punëve të Jashtme, znj. Meliza Haradinaj, ia ka ndaluar ardhjen në Kosovë presidentit Vuçiq në Kosovë. Me shpresën se Zyra e Kryeministrit do të jetë vigjilente, ata do të duhej ta njoftonin atë se Miroslav Lajçaku i ka dërguar letër Qeverisë së Kosovës, ku kërkon mundësimin e qarkullimit të lirë për presidentin e Serbisë ose, në të kundërtën, do të ketë masa ndëshkuese ndaj Kosovës. A e ka bërë vendimin ministrja Haradinaj krye në vete, apo ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës do ta shohim nga përgjigja të cilën kryeministri i butë Hoti do t'ia japë Lajçakut.
Për fund të Ditarit tim për këtë javë do t’i ndaj pjesët nga kabllogramet sportive autobiografike të Sinisha Mihajloviqit. Në librin e tij autobiografik, ky ish-futbollist na shpalos pranimin e një mesazhi nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai aty i shkruan se është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ish-reprezentues i Kombëtares së Shqipërisë në basketboll. Numrin e tij e ka marrë nga miku i tyre i përbashkët Aleksandër Vuçiq dhe e shpreh admirimin e tij për këtë sportist dhe futbollist kulminant. Miqësia e ngushtë me Vuçiqin nuk po na shfaqet si pamje televizive e ditëve të fundit, ajo po del të jetë më e hershme, më e afërt dhe më intime. Sikur të mos ekzistonin lidhshmëritë e dëshmuara dhe simpatitë e dokumentuara të Sinisha Mihajloviqit për çetnikun dhe vrasësin Arkan dhe sejmenët e tij, aq më bën mua se kë e simpatizon Edi Rama. Por, më dhemb kur ai këtë simpati e shfaq nga pozita e kryeministrit të shtetit shqiptar.
Cinikët të cilët më thonë që ta ndaj sportin dhe kulturën nga përditshmëria politike i pyes ku gjenden Haki Misini, Mehmet Tupella, Esat Bicurri e shumë artistë edhe sportistë të cilët u ekzekutuan në luftën e fundit, për të vetmin fakt se ishin shqiptarë.
Por, Edi Rama besoj që as s’e di se kush ishin këta persona dhe çfarë ata paraqisnin si figura në kulturën e kombit tonë. Servilizmi dhe nënshtrimi i Edi Ramës tejkalojnë edhe përmasat e asaj se çfarë shkronjash do t’i duronte një copë letre për përshkrimin për të. Mirëpo, e di fare mirë se çfarë funksioni tjetër mund ta kryente ajo copë letre me përshkrimin e karakterit të Edi Ramës. Të fshinte një pjesë trupi atje ku dielli nuk ndriçon!