Pak detaje janë bërë të ditura përkitazi me takimin e kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, si dhe ndërmjetësit franko-gjermanë. I dërguari i BE-së vetëm ka thënë që misioni i nisur në Prishtinë do të vazhdojë në Beograd.
Të dërguarit e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të premten në zyre i shkuan kryeministrit Albin Kurti.
Gjermani Jens Plotner e francezi Emmanuel Bonne, që të dy këshilltarë për politikë të jashtme dhe siguri, e shoqëruan emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ani që u ftuan për ta përcjellë ngjarjen, telashe me zyrtarët në ekzekutiv u doli gazetarëve. Nga ta u kërkua të largoheshin nga oborri i Qeverisë, ani që ka kohë që ai është i hapur për qarkullim.
E, detaje të takimit që zgjati mbi dy orë nuk pati shumë.
Për këtë Lajçaku dha një arsyetim.
“Siç keni parë, ne kemi kaluar më shumë se dy orë me kryeministrin Albin Kurti duke diskutuar për dialogun dhe si të sjellim dinamikë të re të procesit, si dhe si ta çojmë përpara procesin. Ishte një diskutim shumë i thellë dhe i rëndësishëm dhe besoj se mund ta kuptoni se nuk mund t’i bëjmë të ditura detajet, pasi që të njëjtat diskutime më vonë gjatë ditës do t’i kemi me presidentin Vuçiq. Ne përfunduam pjesën e parë të misionit tonë në Prishtinë”, u shpreh Lajçak.
Ai madje nuk u lejua nga shoqëruesit e tij që të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.
Të rezervuar u treguan edhe në Qeverinë e Kosovës.
Nëpërmjet një njoftimi për media, në ekzekutiv thanë se ardhja e këshilltarëve është bërë me propozimin e kancelarit Scholz e presidentit Macron, me qëllim të gjetjes së opsioneve për të ecur përpara në procesin e bisedimeve.
“U theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë. Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër. Ai falënderoi z. Lajçak, si dhe këshilltarët, z. Plotner dhe z. Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Të tre ndërmjetësit e takojnë të premten edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.