Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vitia s’pranon që në dhjetor bëhen gjashtë muaj nga imunizimi i plotë i kategorive të ndjeshme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mohuar se efekti i vaksinimit anti-COVID te qytetarët do të përfundojë në muajin dhjetor, edhe pse administrimi i dozave të para në Kosovë ka filluar në fund të marsit e të dytave gjatë qershorit, periudhë kjo kur janë vaksinuar kryesisht stafi mjekësor dhe kategoritë e ndjeshme. Agjencia Mjekësore Evropiane ka përmendur afatin prej gjashtë muajsh pas marrjes së dozës së dytë si periudhë për dhënien e dozës së tretë shtesë “për të vazhduar mbrojtjen nga COVID-19”. Deri më 15 qershor, kur nisi vaksinimi masiv në Kosovë, sipas të dhënave të MSH-së, ishin administruar mbi 100 mijë doza, në mesin e tyre edhe qytetarët që kanë marrë të dyja dozat. Megjithatë, Vitia ka thënë se nuk është e saktë që gjashtëmuajshi nis të përfundojë në dhjetor dhe ka konsideruar se imunizimi para 15 qershorit përfshin një “numër modest qytetarësh”.

“Sa i përket efektit të vaksinave që përfundon në muajin dhjetor – kjo nuk është e saktë. Shumica e qytetarëve të Republikës me dozën e parë kanë filluar të vaksinohen në muajin qershor. Një numër modest i qytetarëve para muajit qershor. Dozën e dytë e kanë marrë natyrisht pas 4 ose 10 javësh, varësisht me cilën vaksinë janë vaksinuar. Unë e përmenda që tashmë ka filluar ekipi negociues, pas rekomandimit të IKSHPK-së, që duhet të kemi në dispozicion edhe dozën e tretë, sidomos për kategoritë e qytetarëve që kanë probleme shëndetësore dhe është e rekomandueshme edhe për probleme të tjera, por edhe grupmoshave. Ne presim të kemi në stoqe tona, në kohën kur të vijë koha për dozën e tretë, si dozë shtesë, unë besoj që stoqet tona ashtu siç janë të mbushura sot, do të jenë të mjaftueshme edhe për dozën e tretë, sipas rekomandimeve”, ka thënë ai në konferencën për media të mërkurën, ku ka njoftuar se ka nisur negocimi për sigurimin edhe të një milion dozave të vaksinave anti-COVID për vitin e ardhshëm.

Megjithatë, vaksinimi në Kosovë, për kategori të caktuara dhe stafin shëndetësor ka nisur në fund të muajit mars. Fillimisht qindra profesionistë shëndetësorë ishin vaksinuar në Shqipëri, ndërsa në Kosovë numri u rrit pas ardhjes së 24 mijë dozave të vaksinës “AstraZeneca” më 28 mars. Duke u nisur nga përllogaritja maksimale prej dhjetë javësh, qytetarët që kanë marrë dozën e parë para 6 prillit, të dytën e kanë përfunduar para 15 qershorit. Në këtë grup qytetarësh hyjnë stafi shëndetësor, grupmoshat e ndjeshme e ata që kanë sëmundje kronike. Siç pati deklaruar vetë ministri Vitia më 6 prill, deri atë ditë në sallën “1 Tetori” ishin vaksinuar 3100 zyrtarë shëndetësorë. Pas tyre ka nisur vaksinimi i grupmoshës mbi 80-vjeç, duke pasuar edhe me grupmosha të tjera. Para gjithë këtyre, në Shqipëri qindra mjekë nga Kosova ishin vaksinuar me dozën e parë më 20 mars. Ndërsa të gjithë personat e vaksinuar deri më 21 prill me “AstraZeneca”, dozën e dytë e kanë marrë deri në fund të qershorit. Kjo nënkupton që periudha prej gjashtë muajve kalon në dhjetor.

Izraeli është shteti i parë që ka nisur me dozën e tretë të vaksinave si dozë shtesë për imunizim. Ky shtet po e jep dozën e tretë pesë muaj pas dozës së dytë. Shtete të tjera të mëdha kanë nisur të bëhen gati për dozën e tretë. Ndërkaq Administrata për Ushqim dhe Barna në SHBA ka lejuar administrimin e dozës së tretë për përdorim emergjent.

Në Kosovë, deri tash janë administruar mbi 965 mijë doza të vaksinave anti-COVID, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”. Nga këto, 334 mijë qytetarë kanë marrë të dyja dozat, ndërsa rreth 297 mijë kanë vetëm nga një.