Qeveria e Kosovës ka filluar mbledhjen e saj duke diskutuar gjendjen në Komunën e Deçanit. Zëvendëskryeministri Besnik Bisilimi ka thënë se janë marrë të gjithë hapat për mobilizim.
Ai ka shtuar se IKSHPK-ja është duke vazhduar hulumtimin në terren.
“Nga barnatorja qendrore e QKUK-së është siguruar sasi e mjaftueshme e barnave. Bazuar në udhëzimet e ministrit të mbrojtjes, FSK ka vendosur në gatishmëri njësi për fushën e reagimit. Po ashtu një ekip mjekësor është dërguar për t’i realizuar vizitat në fshatra”, ka thënë ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me ministrat e linjës për ndarjen e mjeteve dhe do të procedojnë me to.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se me t’u bërë lista me materialet e domosdoshme për nevojat e pacientëve të prekur, MSH ka reaguar dhe një pjesë e mirë e barnave është dërguar dje.
Ai ka thënë se vazhdimisht do të dërgojnë materiale të nevojshme.
Edhe
Vitia në Deçan: Situata, komplet nën kontroll
“Janë bërë disa analiza shtesë për disa viroza dhe kanë dalë negative. Sot janë përgatitur edhe një numër i mostrave për t’u dërguar jashtë vendit e që nuk mund të bëhen në Kosovë. Sot situata është më e qetë dhe ka fluks më të vogël të pacientëve”, ka thënë ai.
Ndërkaq në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, Vitia ka thënë se mostrat do të dërgohen në një nga vendet e rajonit për analiza specifike të cilat s’mund të kryhen në Kosovë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se ka ndarë 150.000 euro për mbështetje të Komunës së Deçanit për financimin e projekteve për rregullimin e sistemit të ujësjellësit.