Ndonëse në adresimin e fundit si ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se ka shënuar suksese për gjashtë muaj në krye të këtij dikasteri, ai e lë këtë sektor në kohë përballjeje me problemet kronike të këtij dikasteri. Pasuesja e Vitisë, Dafina Gexha, sfidë do t’i ketë stabilizimin e gjendjes së furnizimit me barna, zbatimin ose jo të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, rritjen e cilësisë së shërbimeve, e probleme të tjera, që ministrat paraprakë dështuan t’i adresonin në tërësi.
Fiks gjashtë muaj e tetë ditë Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje udhëhoqi shëndetësinë në Qeverinë Kurti 2.
Vitia, që e mori këtë dikaster në situatë të rëndë epidemiologjike e me probleme të shtresuara që kryesisht lidhen me keqmenaxhimin ndër vite, u largua nga ky post të premten paradite për t’u fokusuar në garën për kryetar të Prishtinës.
Atë do ta pasojë Dafina Gexha, epidemiologe, që deri tani ka qenë zëvendëse e Vitisë.
Në një adresim të gjatë Vitia përmendi sukseset që, sipas tij, ai dhe bashkëpunëtorët i kanë shënuar në ballafaqim me COVID-19.
“Jam i lumtur që para jush, duke u bazuar mbi raportime të Institutit, them se vala e katërt nga varianti Delta për momentin është vënë nën kontroll. Duke ditur që varianti ka qenë ndër më të transmetueshmit, akoma nuk mund të flasim për relaksim. Vala Delta si më e rënda ka shkaktuar pasoja të rënda në botë. Kosova ditëve të fundit është bërë me numrin më të ulët të infektuarve në rajon. Sot jemi ndër pesë shtetet me më së paku raste të reja në Evropë”, është shprehur Vitia.
Detyrën e ministrit të Shëndetësisë e quajti detyrë me privilegj dhe përgjegjësi, duke e konsideruar si pasurinë më të madhe, që tha se ka përfituar nga besimi që iu dha si ministër. Por, ai refuzoi të përgjigjet nëse ka dështuar në ndonjë pikë për këta muaj, dhe nëse në dedikimin e tij i prezantoi si suksese projektet e nisura nga Qeveria e kaluar. Ai e ka përmendur në veçanti si sukses rritjen e buxhetit për barna e material shpenzues, si dhe iniciativat ligjore.
E pasuesja e tij, Dafina Gexha, është ushtruese detyre. Vitia është pyetur nëse do të kthehej sërish në këtë pozitë nëse dështon në garën për Prishtinën, por nuk ka dhënë përgjigje.
“Po bëhen tetë vjet që kur shërbej për publikun dhe gjatë këtyre viteve natyrisht kam dhënë në çdo pozicion maksimumin tim 100 përqind. Edhe në rrethana të tjera do ta jap maksimumin tim 100 përqind. Këtë pyetje besoj se do të kemi një shans i mirë për t’u përgjigjur pas kësaj konference kur natyra e prezantimin dhe të fjalëve që do t’i them para jush, do të ndryshojnë shumë nga ato që them sot. Pa paragjykimin, në momentin e parë kur të fillojmë fushatën do t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve”, ka deklaruar më tej Vitia.
Gexha është epidemiologe me përvojë të gjatë në sistemin publik shëndetësor, por që në rolin e zëvendëses për gjysmë viti nuk ka qenë shumë e zëshme.
Furnizimi stabil me barna e material shpenzues, stabilizimi i Fondit për trajtim jashtë institucioneve publike, puna në zbatimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, rritja e cilësisë së shërbimeve, janë sfidat në të cilat kanë dështuar pjesa më e madhe e ministrave të pasluftës e që Gexha do të provojë të përballet me to.