Arbëri

Vetëvendosje konsideron se dokumenti komunal u miratua duke shpërfillur ligjet

Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës ka miratuar një rregullore për organizimin e punës në shkollat e kësaj komune. Por zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë kanë thënë se ky dokument është miratuar duke shkelur Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit Komunal. Sipas tyre, ekzekutivi komunal i ka anashkaluar edhe trupat e Kuvendit kur e ka hartuar këtë dokument. Zyrtarët komunalë nuk i kanë komentuar akuzat e opozitës, ndërsa LVV-ja pret që Ministria ta kthejë mbrapsht këtë rregullore.

Me shpërfillje ligjore po konsiderohet se është miratuar Rregullorja për organizimin e punës në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta dhe në shkollat e mesme të larta në Komunën e Fushë-Kosovës.

Përveç kësaj, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë kanë thënë se ekzekutivi ka anashkaluar edhe Komitetin për Arsim, anëtarët e partive përfaqësuese në Kuvend dhe trupa të tjerë kur e ka hartuar këtë dokument.

“Është miratuar Rregullorja për Arsim, Rregullorja e punës në shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Fushë-Kosovës duke i bërë një mori shkeljesh, duke filluar nga shkelja e Ligjit 03L/040 për vetëqeverisje lokale, konkretisht pika 40.1 dhe 40.2 e atij ligji, po ashtu edhe shkelja e Rregullores së Punës së Kuvendit, konkretisht neni 10 i Rregullores së Punës së Kuvendit në të gjitha pikat e atij neni”, ka thënë Vlonjat Hasani, këshilltar komunal i Vetëvendosjes në Fushë-Kosovë.

Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës nuk kanë dashur t’i komentojnë akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Rregullorja ka kalua përmes Kuvendit, është aprovuar dhe presim vlerësimin e ligjshmërisë nga Ministria e Arsimit, Teknologjisë dhe Shkencës”, ka theksuar Fadil Krasniqi, drejtor për Arsim në Komunën e Fushë-Kosovës.

Këshilltari Hasani ka thënë se pushteti me arrogancën e numrave e ka kaluar këtë dokument, të cilin ai pret që institucionet qendrore ta kthejnë mbrapsht.

“Ne i kemi evidentuar shkeljet dhe iu kemi treguar me kohë se kanë bërë shkelje ligjore. Po ashtu, kemi marrë konfirmim edhe nga Zyra Ligjore e Komunës se ata e kanë njoftuar ekzekutivin se këto nene do të shkelen nëse vazhdohet me procedurën e njëjtë. Por ata kanë vendosur që në këtë formë ta shtyjnë përpara këtë rregullore. Normalisht ne presim prej Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që ata të reflektojnë dhe do ta kthejnë si të parregullt këtë rregullore”, ka deklaruar Hasani.

Hasani ka theksuar se kanë vërejtje edhe në përmbajtjen e kësaj rregulloreje. Sipas tij, nëse Ministria e kthen si të paligjshëm këtë dokument, atëherë si parti janë të gatshëm të ndihmojnë në rihartimin e tij.