Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vetëvendosje: Asnjë përparim në Prishtinë, vetëm kthim prapa me Ramën

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë e ka akuzuar kryetarin e Komunës, Përparim Rama, për qeverisje të dobët për gjysmë viti.

Sipas LVV-së, me qeverisjen e tanishme nuk po shihet përparim, por vetëm kthim prapa.

“Sot janë bërë gjashtë muaj prej se kryetari Rama ka marrë detyrën. Padyshim, bazuar në rezultatet dhe gjendjen në terren, si dhe nga reagimet dhe opinioni publik që mbizotëron, janë këta ndër muajt më të dobët në qeverisjen e kryeqytetit prej çlirimit e tutje”, thuhet në njoftimin e kësaj partie në Facebook.

LVV-ja ka thënë se për gjashtë muaj nuk ka filluar asnjë projekt i premtuar gjatë zgjedhjeve.

“Më shumë mbeturina se kurdo më parë, më shumë qenë endacakë e më shumë sulme të tyre, rrugët plotë me gropa, pakënaqësi e protesta të qytetarëve në gati çdo lagje, ndërmarrje publike komunale pranë bankrotimit, drejtori pa projekte e plane konkrete e me shërbimet komunale në nivelin më të ulët për vite të tëra. Tashmë edhe radhët e pritjes u kthyen në sportelet e komunës kurse terri u kthye gjithandej rrugëve të qytetit. Për fshatra mos të flasim. As që i kanë përmendur gjatë kësaj kohe, nuk kanë qenë temë fare. Pra, pa asnjë dyshim, për gjashtë muaj diku stagnim e diku prapakthim”, thuhet më tej në komunikatën e lëshuar.

Edhe Kabineti “Rama 2” pa drejtorë Arbëri Kabineti “Rama 2” pa drejtorë

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur koalicion të çuditshëm atë të Lidhjes Demokratike dhe të Partisë Demokratike në kryeqytet, parti këto që sipas LVV-së e shantazhojnë njëra-tjetrën.

“Po ballafaqohemi me një pushtet që qeverisë pa program. Në fakt, as që është prezantuar një program as para kuvendit e as para qytetarëve. Pa plan të veprimit e pa strategji për asnjë nga problemet konkrete. Veprime e vendime të pamenduara, sot për nesër, e në të shumtën e rasteve sot për sot”.