205 premtime karakterizuan fushatën elektorale të kryetarit Përparim Rama një vit më parë, me të cilat edhe fitoi zgjedhjet.
Kur është bërë një vit pas marrjes së mandatit të tij në krye të Prishtinës, më 7 dhjetor, komuna thotë se janë përmbushur 30 premtime gjatë këtij viti.
Në raportin vjetor të punës një vjeçare, sipas komunës thuhet se 24 prej tyre janë gjysmë të përmbushura, 3 pjesërisht 3 pjesërisht të përmbushura, 110 të filluara dhe vetëm 38 prej tyre nuk kanë filluar ende.
Ndër 30 projektet e përmbushura nuk janë asnjëra nga premtimet më të mëdha infrastrukturore të Ramës.
Premtimi si ndërtimi i rrugës A, ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën “Agim Ramadani dhe ndërtimi i unazës së brendshme renditen në kategorinë si të filluara.
Sipas këtij raporti, këto projekte pritet të fillojnë së zbatuari në vitin e ardhshëm.
Nga 30 premtimet e përmbushura më së shumti janë nga fusha sociale dhe ajo e arsimit.
Por qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket qeverisjes një vjeçare të Ramës.
Është Vetëvendosje në Prishtinë, e cila po cilëson se nuk është bërë asgjë përgjatë këtij viti të qeverisjes Rama.
Në një vjetorin e marrjes së detyrës si kryetar i Komunës së Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar kryetarin, Përparim Rama, përmes një ekspozite në sheshin e Prishtinës.
Pos billboardeve të shfaqur, partia në opozitë ka lëshuar në shesh “zhurmën e Prishtinës”, me të cilën ironizohen testimet e rrugëve njëkahëshe që bllokuan Prishtinën dhe mosefikasiteti në heqjen e problemit të qenve endacakë.
“Qentë i arrestojmë, bërllok pa kufij, ekspertët e kryetarit”, ishin disa nga titujt e pankartave.
Sipas Gëzim Sveçlës, kryeasamblist i VV-së në Prishtinë, “për një vit qeverisjeje të LDK-së dhe PDK-së, nuk ka dyshim se jeta e qytetarit të Prishtinës është bërë më e rëndë, më e vështirë dhe më pak kualitative sesa ka qenë para një viti”.
“Sot ka më shumë mbeturina, më shumë rrezik nga qentë endacakë, më shumë tollovi, kolona më të gjata, më shumë pritje dhe vonesa, parking më të shtrenjtë, taksi me çmim më të lartë, më shumë gropa në rrugë, më pak gjelbërim, më pak ndriçim... e kështu me radhë”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, nga 206 premtimet e dhëna nga Rama, të gjitha kanë mbetur vetëm në letër.
Ndërkaq Triera Kasumi nga Lista Guxo ka thënë se “befasi e çdo dite ishte e është sasia e mbeturinave, qentë endacakë dhe sulmet nga ta, e padyshim testimet e trafikut pa planifikim e pa alternativa tjera për të funksionuar kryeqyteti”.
“Ky vit që lamë pas e që është vit i mbrapsht për Prishtinën, uroj të mos përsëritet dhe të harrohet sa më parë, si vit i karakterizuar nga çudirat e politik bërjes në nivel lokal e deri tek keq menaxhimit e eskalimi i situatës në shumë fusha. Filluar me një fushatë enorme prej 206 premtimeve, vazhduar me një fillim të vonshëm të konsultimit në Kuvend, qeverisjeje pa emëruar me muaj të tërë drejtor nëpër drejtori, e më shumë se 2 muaj u deshën që të kemi një mbledhje të rregullt. Kjo qeverisje vazhdoi tutje të na befasoi me mos reagim ndaj protestave të qytetarëve për keqpërdorimet e Prishtina Parking, e besa as për plane urbanistike të cilat kanë determinuar fatin e shumë banorëve të lagjeve në Prishtinë”, tha Kasumi.
Ndryshe, sipas raportit një vjeçar, Komuna e Prishtinës thotë se tashmë ka filluar edhe me krijimin e “Sheshit Historik të Prishtinës” dhe lidhjes së tij deri te zona e Rrethit me flamur.