Vetëvendosja në Shtime ka numëruar keqpërdorimet e kryetarit të kësaj komune, Naim Ismajlit për gjashtë muaj.
Përmes një komunikate për media Vetëvendosje e Shtimes thotë se, “si vazhdim i keqqeverisjes aty ku e kishte lënë në mandatin e kaluar, gjashtëmujori i qeverisjes lokale në Shtime ka përfunduar me plot dështime dhe abuzime, premtime të pambajtura, të cilat ishin bërë vetëm sa për sy e faqe si instrument i mashtrimit të qytetarëve, por në shërbim të grupeve të interesit përreth tij dhe klientelizmit partiak”.
Sipas Vetëvendosjes qeverisjen e Naim Ismajlit, qytetarët e Shtimes e njohin vetëm për papërgjegjësinë dhe keqpërdorimet.
“Mendësia abuzuese e partisë në pushtet me paranë publike veçse është rritur. Pazaret e bëra, tokë për vota tashmë po bëhen normale. Ndërsa vendimet e nxjerra të Kuvendit për vendosje të prioriteteve në projekte të infrastrukturës janë vetëm mashtrim i qytetarëve. Ligji i financave lokale dhe publike as që përfillet nga ana e kryetarit Ismajli. Kuvendi komunal i Shtimes dhe vendimet e këtij organi janë të pazbatueshme prej tij”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Sipas Vetëvendosjes kjo ngjau edhe me rrugën Kozhinca të fshatit Godanc i Ulët.
“Shumica e projekteve infrastrukturore si: rrugë, kanalizime, trotuare etj. nuk kanë specifikime të sakta në gjatësi, në gjerësi, sasi dhe vend realizime. Kjo është plani i qëllimshëm dhe ky është veprimi i vetëm i pozitës, për të ecur lirshëm pastaj drejt korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik”, thotë VV.
VV shton se shpenzimet enorme të kësaj administrate, flasin për atë se pushteti lokal e ka vënë buxhetin në funksion të vetës dhe grupeve të tyre të interesit dhe kurrsesi në shërbim të qytetarëve. Në këtë gjashtëmujor, sa i përket financimit të bujqësisë, kjo administratë nuk e ka dhënë asnjë cent. Ndërsa, darkat e drekat, subvencionet dhe shërbimet kontraktuale bashkë me shpenzimet e luksit janë marramendëse.
“Në tabelën e bashkëngjitur janë paraqitur vetëm disa nga keqpërdorimet financiare për gjashtëmujorin e parë 2018. Siç shihet, në krahasim me vitin paraprak, shënohen shpenzime të larta. Madje, në disa kategori edhe shumëfish më të larta. Por, si anomali shënon 0% shpenzime të investuara në sektorin e bujqësisë, dhjetëra mijëra euro në shërbime kontraktuale (të punësimeve partiake të militantëve). Vetëm gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar 52,828.52 euro në kontrata mbi shërbimin, 7,326.20 euro në darka e dreka zyrtare, 22, 501.25 euro furnizim me ushqim dhe pije jozyrtare, 20,293.47 euro karburante, 6,042.45 euro shpenzime të telekomunikimit, 8,682.04 euro servisim veturash, 39,613.50 subvencione dhe shpenzime tjera të ndryshme në komunali, mirëmbajtje, pastrim, shërbime teknike, mirëmbajtje, informim publik etj”, thuhet në komunikatë.
Paralel me këto shkelje dhe keqpërdorime, VV thotë se vazhdojnë punësimet e militantëve partiakë si masë kompozuese të mbledhjes së votave. Këtë e dëshmojnë kontratat e shumta të shërbimeve në ; Komunë, në Ndërmarrjen “Higjien”, në çerdhe të fëmijëve dhe kudo në sektorin e arsimit etj.
“Këto dhe raste tjera të ngjashme janë shqetësim i madh i qytetarëve të komunës së Shtimes. Lëvizja Vetëvendosje e preokupuar seriozisht me këto veprime dhe dëmtimin që po i bëhet interesave të qytetarëve dhe resurseve të përbashkëta të komunës sonë, i bënë thirrje organeve të drejtësisë dhe prokurorisë për veprime të menjëhershme në këtë drejtim”, thotë VV.
