Arbëri

Komunës së Shtimes i “tepruan” mbi një milion euro

Mbi një milion euro suficit i buxhetit të Komunës së Shtimes për vitin 2022 do t’i kthehen nivelit qendror. Kryetari i Degës së PDK-së dhe shef i grupit të këshilltarëve të këtij subjekti, Rrahman Jakupi, ka thënë se raporti financiar i Komunës për vitin 2022 ka dështuar të miratohet për shkakun e tepricës, por edhe për shkakun e dyshimeve për keqpërdorim e keqmenaxhim të parasë publike.

“Nuk e kemi votuar raportin financiar të shpenzimit për vitin 2022 për shkak se në këtë raport mund të ketë gjetje dhe shkelje të shpenzimeve financiare dhe për shkak se në këtë raport janë mbi një milion euro të cilat pushteti aktual nuk ka arritur t’i shpenzojë. Kjo për neve është shqetësuese, përderisa nevojat e qytetarëve janë të mëdha dhe kërkesat e tyre janë të mëdha dhe në të njëjtën kohë paratë e buxhetit të Shtimes teprojnë”, ka thënë Jakupi.

Rreth kësaj çështjeje ka pasur debate edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal. Rexhep Gashi, kuvendar i Lëvizjes për Bashkim, ka thënë se komuna e Shtimes ka nevojë për buxhet më të madh, por jo të ngec në shpenzimin të parasë publike.

“Nuk e kemi një luks të tillë për të mos i shfrytëzuar grandet qeveritare dhe të cilat kthehen në Qeveri. Pra, e kemi një prioritet dhe kanë nevojë qytetarët për investime duke filluar nga rrjeti i kanalizimit e i ujësjellësit që janë nevojat më jetike për qytetarët”, ka thënë, midis të tjerash, Gashi.

Bekim Krasniqi, drejtor në Organizatën YAHR, ka thënë se gjatë monitorimit të planifikimit të buxhetit për vitin e kaluar kanë vërejtur se ekzekutivi i kësaj komune nuk ka përvojë për hartimin e projekteve kapitale. Sipas tij, buxheti i përgjithshëm prej rreth 8 milionë eurosh që shumica prej tyre shpenzohet për paga publike, është shqetësuese të mbesin mbi një milion euro si suficit të cilat i kthehen fondit të Qeverisë.

“Ne si organizatë kemi identifikuar nevojat dhe kërkesa e shumta të qytetarëve që i janë adresuar ekzekutivit për adresim. Ndërkohë, mbetja e buxhetit prej mbi një milion euro si mosrealizim i buxhetit për vitin 2022 ndikon negativisht në interesin e qytetarëve të Komunës së Shtimes, andaj kërkojmë që Komuna e Shtimes gjatë planifikimit të buxhetit të angazhojë ekspertë të ndryshëm në planifikimin e shpenzimit të parasë publike”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, Komuna duhet ta ketë parasysh që gjatë këtij viti të angazhohet për hartimin e projekteve madhore derisa Qeveria e Kosovës e ka përkrahur me miliona euro.

Komuna e Shtimes nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth shpenzimit të parasë publike gjatë vitit 2022.