Vetëm 21 inspektorë të arsimit janë duke e bërë vlerësimin e performancës së mësimdhënësve (VPM) në sistemin parauniversitar.
Ndonëse ky proces ka nisur në tetor të vitit të kaluar, megjithatë, deri më tash janë vlerësuar vetëm 217 mësimdhënës të 60 shkollave. Vlerësimi deri tash është bërë në 25 komuna të Kosovës. Bazuar në të dhënat statistikore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të vitit 2018-2019 në nivelin parauniversitar janë të angazhuar gjithsej 23.262 mësimdhënës, shkruan sot Koha Ditore.
Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve bëhet në katër forma, vetëvlerësimi, vlerësimi nga drejtori i shkollës, vëzhgimi i orës mësimore dhe planifikimi dhe përgatitja me shkrim.
MASHT-i e ka pranuar se një ndër sfidat e tyre në këtë proces është numri i limituar i inspektorëve që po e bëjnë vlerësimin. Nga ana tjetër, njohës të çështjeve të arsimit thonë se Ministria do të duhej që ta ndërpriste këtë vlerësim derisa t’i sigurojë kapacitetet e duhura.
Drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, ka thënë se me kapacitetet aktuale, 1 inspektor do t’i vlerësojë 30 mësimdhënës brenda 1 viti. Ai ka thënë se planifikojnë që deri në fund të vitit 2019 të vlerësohen 600 mësimdhënës... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)