Në episodin e 55-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, e ftuar është ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq. (II)
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPusiq: Evropa duhet të krijojë aleancë mbrojtëse paralele me NATO-n
Ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq, ka deklaruar se Evropa duhet të ecë drejt krijimit të një aleance të re mbrojtëse, paralele me NATO-n, në një kohë kur roli i SHBA-së në sigurinë evropiane po bëhet gjithnjë e më i pasigurt.
Në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Pusiq ka thënë se evropianët duhet të përgatiten për një skenar në të cilin SHBA-ja mund të tërhiqet nga angazhimet e saj tradicionale të sigurisë në Evropë.
Duke komentuar një skenar hipotetik të ngritur nga Surroi, ku presidenti amerikan Donald Trump mund të deklarojë se baza ushtarake ‘Bondsteel’ në Kosovë “nuk i duhet më”, Pusiq u shpreh se në atë rast evropianët do të duhet të marrin përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit.
Sipas saj, “koalicioni i të vullnetshmëve”, i krijuar fillimisht për mbështetjen e Ukrainës, mund të shndërrohet në bërthamën e një aleance të re evropiane të sigurisë.
“Është një bërthamë e një aleance të ardhshme sigurie që nuk do ta përfshijë SHBA-në, por do ta përfshijë Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe potencialisht vende të tjera partnere”, deklaroi ajo.
Pusiq theksoi se Turqia është një fuqi e rëndësishme rajonale dhe se do të ishte pjesë kyçe e një strukture të tillë sigurie evropiane.
Ajo shtoi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe qasja e administratës Trump kanë rritur homogjenitetin politik brenda Evropës, duke afruar liderë të së djathtës dhe së majtës rreth çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë.
Pusiq: Frika globale po rritet me shpërbërjen e rendit ndërkombëtar dhe aleancave të vjetra
Ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq, ka deklaruar se bota po hyn në një epokë të re pas dobësimit të rendit ndërkombëtar, duke paralajmëruar rritjen e frikës globale dhe shpërbërjen e aleancave tradicionale.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Pusiq ka thënë se ndryshimet aktuale globale nuk janë të kthyeshme dhe se sistemi ndërkombëtar po largohet nga parimet e së drejtës ndërkombëtare.
“Po flasim për një rend botëror që në thelb nuk bazohet në të drejtën ndërkombëtare, ku e drejta ndërkombëtare nuk respektohet ose as nuk merret parasysh”, ka thënë ajo.
Sipas Pusiq, organizatat shumëpalëshe, sidomos Kombet e Bashkuara, janë dobësuar ndjeshëm, ndërsa aleanca tradicionale mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian po shpërbëhet.
E Surroi u shpreh se situata është veçanërisht shqetësuese për vende si Kosova dhe rajoni i Ballkanit, ku lidhja me SHBA-në konsiderohet ekzistenciale.
Pusiq foli edhe për atë që e quajti “aleancë personale” midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Nuk mendoj se shtetet janë aleatë, por presidentët janë aleatë. Personalitetet e tyre duket se kanë raportin më të mirë mes liderëve të fuqive të mëdha”, deklaroi ajo.
Sipas saj, “transaksionalizmi ekstrem” në politikën ndërkombëtare po ndryshon botën në mënyrë të pakthyeshme, duke përmendur edhe fenomene si mizogjinia, racizmi dhe legjitimimi i dhunës.
Pusiq u shpreh se kjo klimë ka krijuar një ndjenjë të re globale frike.
“Frika nga e panjohura, nga humbja e parashikueshmërisë së aleancave dhe nga tekat politike të liderëve të mëdhenj është bërë reale. Dhe duhet të kemi frikë”, u shpreh ajo.
Pusiq: Qëllimi i Putinit ta bëjë Rusinë e Madhe, Trumpi po ndryshon rolin global të Amerikës
Ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq, ka deklaruar se projekti politik i presidentit rus, Vladimir Putin, synon rikthimin e Rusisë perandorake, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, po ndryshon sistemin politik amerikan dhe rolin global të Shteteve të Bashkuara.
Në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Pusiq ka thënë se Evropa po përballet me ndryshime të mëdha historike, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe fundi i rendit unipolar.
“Mendoj se projekti i Putinit është gjithashtu ‘Ta bëjmë Rusinë të Madhe Përsëri’. Ideja e tij është e Rusisë perandorake, madje as e Rusisë sovjetike, por e Rusisë perandorake”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ambiciet e Kremlinit lidhen kryesisht me zgjerimin territorial, ndryshe nga qasja e Trumpit në SHBA.
“Në rastin e Trumpit, ai po ndryshon më shumë sistemin politik në Amerikë dhe rolin amerikan në nivel global. Ndërsa në rastin e Putinit, bëhet fjalë tekstualisht për ta bërë Rusinë të madhe përsëri”, u shpreh Pusiq.
Gjatë bisedës, Surroi ka thënë se bota po kalon një periudhë ku idetë dhe vlerat evropiane po kufizohen nga dy forca historike: fundi i botës unipolare dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
“Korniza në të cilën zhvilluam idetë dhe vlerat tona në Evropë po rrezikohet seriozisht”, deklaroi Surroi.
Pusiq shtoi se ndryshimet globale kanë transformuar edhe rolin e Evropës në skenën ndërkombëtare, duke theksuar se evropianët duhet të mendojnë për pozitën e tyre të re në raport me zhvillimet gjeopolitike.