Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli: Unë dhe PDK-ja vendosim për ministrin Tahiri

Abelard Tahiri nuk mori pjesë më mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, por kryeministri Ramush Haradinaj, e edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, vazhdojnë ta quajnë ministër, raporton KTV.

Vetë Tahiri, pas takimit të shkurtër që pati në selinë e PDK-së me shefin e tij të partisë, Kadri Veseli, tha se brenda ditës do të bëhet publik vendimi.

Ai nuk deshi të komentojë fare nëse largimi i tij i mundshëm nga Qeveria ka të bëjë me shoqërimin që ia kishte bërë shefit të tij të dikurshëm, tash president, Hashim Thaçit, në Liqenin e Ujmanit.

Por, shefi aktual i Tahirit në parti, Kadri Veseli, tha se për këtë vendos vetëm ai e partia, e jo individi.

Veseli, Tahirin e quajti si ministrin më të guximshëm në Qeveri, duke thënë se nuk ka pasur deri tash asnjë aferë korruptive.

Ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se Abelard Tahiri është ende ministër dhe ende nuk ka vendim definitiv, por, shpreson që Tahiri të mos e ketë fatin e kolegut të tij, Bajram Hasani, të cilin Nisma kishte vendosur ta ndërronte.

Kryeministri nuk e di nëse e gjithë kjo situatë është për shkak të vizitës së Tahirit në Liqenin e Ujmanit. Megjithatë, tha se vendimi do të jetë i PDK-së dhe ai do t’i respektojë vendimet politike të tyre. Emrat që janë përfolur të largohen nga Qeveria janë edhe Bedri Hamza e Besim Beqaj, por kryeministri tha se ka pasur shumë spekulime në këtë drejtim, prandaj vendimet që do t’i sjellë Kadri Veseli në emër të PDK-së, ai do t’i respektojë.

Artikuj të ngjashëm