Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot strukturat e degës së PDK-së në Rahovec, derisa ka përgëzuar të pranishmit për procesin zgjedhor në këtë degë, si dhe kontributin në Konventën e 9-të zgjedhore, ku dolën edhe strukturat e reja drejtuese të partisë.
Ai gjatë fjalës së tij drejtuar të pranishmëve ka thënë se Rahoveci është shembull se si ndërtohet e zhvillohet shteti me djersë e sakrificë.
“Rruga jonë, është rrugë e përgjegjësisë, e ballafaqimit me vështirësitë, rrugë e sfidave dhe sukseseve të çuarjes së çështjeve jetike të qytetarëve tanë dhe të vendit përpara. Ne me procesin zgjedhor kemi dëshmuar se gara e brendshme, sjell vlera të cilat janë në nivel të përgjegjësisë së misionit tonë, Dekadës së Re, të vizionit të dekadës së dytë pas pavarësisë. Rahoveci është shembull se si ndërtohet e zhvillohet shteti me shumë djersë e sakrifica”, ka theksuar ai, b%het e ditur përmes një njoftimi për medie.
Veseli ka shtuar se në Rahovec, është shkruar histori e lavdisë, histori e sakrificës për çlirim, andaj, kanë përgjegjësi që vlerat e këtij qyteti të qytetarëve të përkushtuar e punëtorë, të bëhen pjesë e zhvillimit të gjithëmbarshëm me përkrahje për inovacion, ndërmarrësi dhe projekte që rinisë ia hapin perspektivën, që shtojnë vendet e reja të punës dhe ngrisin mirëqenien e qytetarëve.
“Ashtu siç dje u shkrua historia e lavdisë, sot në Rahovec, shkruhen histori suksesi në ndërmarrësi”, tha Veseli.
Kreu i PDK-së tha se fermerët dhe bizneset e Rahovecit do të kenë rritje të subvencioneve ndërsa siguroi se rruga magjistrale që lidhë Rahovecin me Autostradën do të zgjerohet.
Ai po ashtu vlerësoi procesin zgjedhor duke potencuar se zgjedhjet në PDK-ë, janë shembull dhe mostër e garës demokratike, cilësore dhe në pajtim me vlerat më të larta demokratike, duke theksuar se Rahoveci frymon me Dekadën e Re.