Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur sot para përfaqësuesve të strukturave të PDK-së në 20 vjetorin e themelimit të partisë, për rrugëtimin e deritashëm të PDK-së.
Veseli tha se PDK është krenare si trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u soll denjësisht, transformoi veten dhe Kosovën.
Ai tha se sot që PDK është lidere e opozitës dhe do të jetë gjithmonë përball sfidave për ta ruajtur dhe forcuar Republikën e Kosovës.
“Para 20 vjetësh, shume idealistë të lirisë, të prirë nga luftëtarë dhe intelektual të ardhur nga betejat e lavdishme, të cilëve ju bashkuan edhe shumë veprimtarë të sinqertë, nisën një tjetër projekt të madh për Kosovën – të cilin, më pas, historia do ta njohë si arritje të jashtëzakonshme. Sfidat e lirisë nuk ishin të lehta për Kosovën. Sot, 20 vjet më pas, e themi me krenari se Partia Demokratike, trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u soll denjësisht, transformoi veten dhe Kosovën”, tha ai.
Veseli shtoi se “kur askush nuk priti, pasi iu nënshtruam proceseve demokratike, me dinjitet pranuam humbjet politike të brendshme, pas fitoreve në beteja luftarake me Serbinë”.
“Ne, tani jemi opozitë! Do të jemi opozitë e vërtetë kundër një kaste që veten e sheh mbi interesin e Kosovës dhe qytetareve tanë. Do të jemi opozitë në shërbim të Kosovës dhe vetëm të Kosovës. Do të jemi veprues dhe të zëshëm për çdo gjë që nuk avancon të drejtën, interesin dhe shpresën për qytetarët tanë dhe për Kosovën. Nuk do të lejojmë me asnjë çmim të dëmtohet stabiliteti i Kosovës. Ne nuk do të lejojmë cenimin e mirëqenies dhe të drejtat e secilës kategori të shoqërisë sonë”, shtoi tutje.