Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli premton dyfishim të buxhetit për teknologji e ndërmarrësi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, të martën në Prizren kanë prezantuar fondin prej dy milionë eurosh, që sipas tyre do të ndahet për organizatat joqeveritare në fushën e teknologjisë dhe ndërmarrësisë. Në të njëjtën kohë, Veseli është zotuar se në vitin e ardhshëm do të dyfishohet buxheti për teknologjinë e informacionit dhe ndërmarrësinë në përgjithësi, raporton Koha Ditore.

Në aktivitetin "Think Future - Prizren", ku të pranishëm kanë qenë të rinjtë, ndërmarrësit e përfaqësuesit e shoqatave të biznesit, Veseli ka pohuar se zhvillimet në teknologjinë e informacionit kanë sjellë avantazh për Kosovën si një shtet me popullatë të re që mund ta shfrytëzojë këtë mundësi.

“Rinia duhet të shfrytëzohet si aset për transformimin e madh ekonomik të Kosovës përmes botës digjitale”, ka thënë Veseli, duke shtuar se institucionet e vendit do t’i afrojnë resurset e duhura tek këta të rinj me ide e nisma inovative.

“Prandaj i inkurajoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të aplikojnë në këto grante, sepse është vetëm faza fillestare. Ndërsa vitin e ardhshëm po jua jap fjalën do të dyfishohen, për arsye se besimi më i madh është në rini”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës. Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për një transformim ekonomik, përkatësisht zhvillim të fuqishëm ndërmarrësie, ku rol kryesor duhet të ketë teknologjia informative. Veseli ka theksuar se për këtë arsye edhe është krijuar Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe ka hedhur idenë për krijimin e një universiteti të teknologjisë informative.

“Ne do të vazhdojmë përkrahjen, sepse Kosova duhet të jetë një shtet i fuqishëm ekonomik me perspektivë të qartë euroatlantike”, ka thënë Veseli.

Ndërsa ministri Besim Beqaj ka inkurajuar OJQ-të dhe të rinjtë me ide inovative në shërbim të rritjes se kapacitetit të ndërmarrjeve, që të bëhen pjesë e programit të lansuar nga MIN.

“Programi i financimit të Ministrisë orienton dhe përkrah inovatorët të kombinojnë njohuritë, kapacitetet dhe resurset për të zhvilluar konceptin e inovacionit brenda ndërmarrjes”, ka thënë Beqaj.

Ai ka pohuar se dikasteri që drejton ka në mandat politik dhe strategjik stimulimin e aktiviteteve inovative në Republikën e Kosovës, të cilat janë të lidhura ngushtë më ndërmarrësinë. “Investimi në rini është garanci për një të ardhme të ndritur dhe fuqizimit ekonomik të Kosovës”, është shprehur Beqaj. Sipas tij, krejt çfarë duhet të bëjnë institucionet është që t’i përcjellin të rinjtë me ide inovative dhe mos t’u krijojnë pengesa atyre, duke ecur kështu drejt rikonceptualizimit të mendimit ekonomik.

“Synimi dhe vizioni i MIN-it është ta riorientojmë mendimin ekonomik që jo resurset natyrore janë baza më e fuqishme e zhvillimit ekonomik, por është resursi human, njeriu, rinia që me potencialin e tyre kanë me i shtye institucionet shumë më shpejtë”, ka thënë Beqaj.

Ai ka përmendur edhe hapjen e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit gjermano-kosovar në Prizren, nga viti i ardhshëm, duke theksuar se ky qytet do të bëhet qendër rajonale për inovacion në Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër Abetare Gojani nga Fondacioni IPKO ka pohuar se ky fondacion ka 10 vjet që punon në këtë fushë, duke investuar dhe përkrahur idetë inovative dhe duke fuqizuar të rinjtë. Ajo ka përkujtuar se disa projekte të këtij fondacioni kanë nisur si ide e projekte të vogla për t’u shndërruar në ngjarje të mëdha në nivel vendi, siç është rasti me organizimin e Doku.Tech. Ajo u ka bërë thirrje të rinjve që fundjavën që vjen t’i bashkohen Doku.Techit dhe të frymëzohen nga folësit me renome botërore për çështjet e ndryshme.

Artikuj të ngjashëm