Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli: PE i gatshëm të procedojë me përkrahje për liberalizimin e vizave për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot në Strasburg nga kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, me të cilin ka diskutuar për hapat që pritet të ndërmerren gjatë muajve në vijim, për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, njofton kumtesa, transmeton Koha.net.

Veseli ka marrë zotimin e kryetarit të Parlamentit Evropian se janë të gatshëm të procedojnë me vendimin e eurodeputetëve, sapo Komisioni Evropian të dalë me raportin pozitiv për vizat.

“Jam i umtur të konfirmoj pohimin e presidentit të Parlamentit Evropian se do të kemi përkrahjen e plotë të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Ky është një lajm shumë i mirë. Ne po presim raportin pozitiv në fund të këtij muaji, në të njëjtën kohë pastaj në Parlamentin Evropian do të marrim përkrahjen e nevojshme pro lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Ky është një rrugëtim në disa hallka dhe ne po sensibilizojmë të gjithë akterët në mënyrë që këtë vit qytetarët tanë të mund të lëvizin pa viza gjatë këtij viti”, tha Veseli pas takimit

Ai e ka informuar kreun e Parlamentit Evropian për zhvillimet politike në Kosovë dhe për reformat e nevojshme qe po ndërmarrin institucionet e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane.

Veseli tha se Kuvendi i Kosovës shqyrton me prioritet të veçantë dhe miraton të gjitha projektligjet që dalin në procesin e integrimeve dhe ka komisionin e posaçëm që trajton përputhshmërinë e të gjitha ligjeve me ligjet e Bashkimit Evropian.

Kryetari Veseli falënderoi z. Tajani dhe Parlamentin Evropian në përgjithësi, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë shtetit të Kosovës dhe perspektivës evropiane të saj.