Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli merr çmim për mbështetje të zhvillimit ekonomik përmes digjitalizimit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është nderuar me çmimin “Udhëheqësi më i mirë i Evropës Juglindore për mbështetjen e zhvillimit ekonomik përmes digjitalizimit”.

Ky çmim iu nda nga Forumi Botëror i Investitorëve “World Business Angels Investment Forum” (WBAF), që punimet po i mban në Stamboll.

Në garë për këtë çmim ishin konkurrente me Kosovën disa vende të Evropës Juglindore, përfshirë Serbinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, por bordi i Forumit kanë vlerësuar kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Republikën e Kosovës me vizionin më të qartë për zhvillimin e inovacionit dhe ekonomisë nëpërmjet digjitalizimit.

Pasi mori çmimin para më shumë se 200 investitorëve globalë dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme, kryeparlamentari Veseli tha se këtë çmim ia dedikon rinisë inovatore të Kosovës.

Ai ftoi investitorët e pranishëm në këtë Forum që të vizitojnë Kosovën dhe të shohin potencialet e shumta që ka vendi për investime në fusha të ndryshme, duke i siguruar se do të gjejnë bashkëpunëtorë të denjë në shtetin më të ri në Evropë./KosovaPress