Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli: Komuniteti egjiptian ka dhënë kontribut të çmuar në ndërtimin e bashkëjetesës ndëretnike

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pritur sot qytetarë të komunitetit egjiptian, në kuadër të shënimit të Javës egjiptiane në Kosovë.

Ai tha se Kosova është shtet ku të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve që kanë, qofshin ato etnike, apo religjioze, ndihen të lirë dhe të barabartë.

“Komuniteti egjiptian ka dhënë kontribut të çmuar në ndërtimin e bashkëjetesës ndëretnike, e cila i bën nder sot vendit tonë në botë. Është fakt se si çdo komunitet tjetër edhe egjiptianët e Kosovës ballafaqohen sot me sfida e probleme, të ngjashme me ato të krejt qytetarëve të Kosovës”, theksoi Veseli.

Në vazhdim, fjalën e mori kryesuesi i delegacionit nga Egjipti, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të shënimit të Javës egjiptiane, Zahi Hawass, i cili foli për rolin e femrës në politikëbërje dhe udhëheqje, ndërsa u angazhua për forcimin e lidhjeve midis Kosovës dhe Egjiptit.

Deputeti Veton Berisha, ndërkaq, theksoi se komuniteti egjiptian në Kosovë ka qenë në anën e shtetbërjes dhe të shtetndërtimit, ndërsa shtoi se Kosova është modeli më i mirë i mundshëm i trajtimit dhe përfaqësimit të komuniteteve pakicë.