Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli kërkon që sa më parë të miratohet pakoja ekonomike e propozuar nga PDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar Parkun e Bizneseve në Drenas, nga ku ka bërë thirrje që sa më parë të votohet Pakoja Emergjente e propozuar nga PDK-ja.

“Sa më shpejtë ta kalojmë pakon e rimëkëmbjes ekonomike për faktin se ekonomia ka nevojë, familjet tona kanë nevojë. Kosova nuk guxon të shndërrohet në një vend social, Kosova duhet të jetë një vend i ndërmarrësisë, 280 mijë familje vërtetë kanë nevojë që t’ju dilet në ndihmë, dhe 80 mijë ndërmarrësve. Unë pres sa më shpejtë, në mënyrë sa më urgjente, jemi duke u vonuar, një muaj jemi duke ua humbur 280 mijë familjeve, 39 komunave, jemi duke ua humbur përkrahjen financiare, të cilën e kanë deri 500 mijë euro për komunat nën 50 mijë banorë, dhe me mbi 50 mijë banorë nga 1 milion euro, që t’ju ndihmohet atyre. Shpresoj që shpejt kjo do të realizohet, para çdo marrje të vendimit për ndonjë qeverie që po na lodhin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, duhet me qenë në rend dite në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pikërisht Pakoja e rimëkëmbjes financiare dhe ekonomike”, tha ai.

Veseli tha se aktivitetet e tij në terren nuk janë fushatë politike, por duhet t’i duhet t’i qëndrojnë afër atyre që e kanë mbajtur këtë shtet.

“Jo unë nuk jam në fushatë, nuk e kam ndërmend me u ndalë. Mund të marrë nga pak kritika por unë do të respektoj rekomandimet shëndetësore, por duhet me qenë afër njerëzve të cilët e kanë mbajt këtë shtet e këta janë ndërmarrësit”, ka theksuar ai.

Ndërkaq nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj,  përmes një konference për media ka thënë se kjo është një lëmoshë dhe duhet patjetër të votohet në Kuvend propozimi i PDK-së prej 320 milionë euro.

“Po mbushen 7 javë nga fillimi i pandemisë në Kosovë dhe ndërkohë që shumë vende evropiane janë duke planifikuar lehtësimin e masave dhe rihapjen e ekonomisë, qeveria në ikje e Kosovës ende nuk i ka dhënë ekonomisë ndihmën e merituar. Qeveria e shkarkuar e Kurtit, me vonesën, papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e saj, e ka lënë ekonominë të rrezikuar prej kolapsit dhe dhjetëra mijëra punëtorë të sektorit privat në kushtet e mbijetesës”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo qeveri në ikje është treguar shumë neglizhente me pandeminë duke mos parashikuar fonde për të luftuar koronavirusin në buxhetin e vitit, i cili u miratua në një seancë klandestine në datën 14 mars, pra pasi pandemisë në Kosovë.

Edhe PDK-ja e konsideron shqetësuese sjelljen e Qeverisë karshi krizës ekonomike Arbëri PDK-ja e konsideron shqetësuese sjelljen e Qeverisë karshi krizës ekonomike

“Madje kujtojmë se ministrja Rozeta Hajdari deklaronte me krenari të madhe indiferencën ndaj emergjencës së pandemisë, duke thënë se qeveria nuk duhej të bënte asgjë për të shpëtuar ekonominë sepse sipas saj ‘nuk e kemi sjellë ne koronavirusin’ Partia Demokratike e Kosovës ka qenë partia e parë që ka propozuar një pako emergjente prej rreth 320 milionë eurosh, për të ardhur në ndihmë të bizneseve private si dhe të qindra mijëra punëtorëve të kompanive private që po detyroheshin të mbylleshin si pasojë e pandemisë. Madje në mënyrë konstruktive si rrallëherë ka ndodhur me partitë opozitare të Kosovës, i ofruam qeverisë së shkarkuar, edhe votat tona për të bërë një seancë të jashtëzakonshme, ku të bënim ndryshim- plotësimin e buxhetit të këtij viti, për të mundësuar përfshirjen e kësaj pakoje emergjente”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se fondet e parashikuara nga qeveria në ikje janë të pamjaftueshme për të garantuar mbijetesën e bizneseve private dhe për të mundësuar rimëkëmbjen e ekonomisë sonë pas pandemisë.

“Mijëra biznese po gjenden sot pranë falimentimit sepse nuk kanë mjaftueshëm para për të paguar qiratë, kreditë apo shpenzimet e tjera bazike operative”, ka thënë tutje ai.