Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli kërkon avancimin e femrave në sektorin e IT-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bashkëbiseduar me femrat që merren teknologji informative, në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në teknologji informative”, që u mbajt në Universitetin Amerikan të Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit me vajzat e angazhuara në këtë sektor, kryeparlamentari Veseli është njohur me angazhimet e tyre dhe sfidat me të cilat ato përballen gjatë veprimtarisë së tyre të përditshme, transmeton Koha.net.

Veseli e ka cilësuar sektorin e teknologjisë së informacionit një nga mundësitë më të mira që ka vendi ynë për të ecur shpejt në zhvillimin ekonomik. Veseli tha se buxheti institucional për mbështetjen e sektorit të teknologjisë informative duhet të dhjetëfishohen.

“Të rinjtë tanë janë shumë të pasionuar me teknologjitë e informacionit, por vetëm pasioni nuk mjafton. Interesi i drejtpërdrejtë nacional është që potencialin dhe pasionin e të rinjve tanë për IT ta shndërrojmë në industri të IT-së, e cila pastaj, jo vetëm krijon vende pune për të rinjtë tanë, por njëkohësisht u mundëson atyre të krijojnë vende pune edhe për të tjerët”, tha ai duke shtuar se që të ndodhë kjo, janë të domosdoshme investimet e mëdha në këtë drejtim.

“Ne duhet ta mbyllim shpejt këtë hendek, duke marrë vendime të mëdha strategjike, përmes të cilave orientohen fondet në qendrat e specializuara universitare dhe trajnimit profesional për inovacion dhe IT”, theksoi Veseli.