Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli fton opozitën të lë mënjanë dallimet partiake, rezoluta thotë se është interes shtetëror

Kreu i Kuvendit të Kosovës dhe i PDK-së, Kadri Veseli përmes një postimi në Facebook ka thënë se rezoluta e propozuar nga pozita është propozim në interes të shtetit.

Ai ka ftuar opozitën të lë mënjanë dallimet partiake dhe të bëhet pjesë e procesit të dialogut, transmeton Koha.net.

“Rezoluta që kemi propozuar, së bashku me partnerët e koalicionit, nuk duhet parë thjesht si një veprim politik i koalicionit qeverisës, por si një propozim në interes të shtetit. Në këtë rezolutë jemi përpjekur që të inkuadrojmë dhe harmonizojmë të gjitha pozicionet dhe deklaratat e shprehura në këtë periudhë, mbi çështjen e fazës finale të dialogut me Serbinë”, ka shkruar Veseli.

Opozita s’e përkrah Rezolutën e pushtetit, thotë se ka synim forcimin e Thaçit në dialog

Ai shton se, “kohezioni politik i brendshëm, është i domosdoshëm, për të mundësuar forcimin e pozicionit negociator të Kosovës si dhe për të përmbushur aspiratat që ne kemi për të zënë vendin që na takon në OKB, BE, NATO dhe forumet tjera ndërkombëtare. Prandaj, ftoj të gjithë kolegët e opozitës, që të lënë mënjanë dallimet partiake, dhe të bëhen pjesë e procesit të dialogut”.

Veseli thotë se do ta ftojë opozitën në një takim gjithpërfshirës.

“Në ditët në vijim do t’i ftoj personalisht në një takim gjithëpërfshirës në mënyrë që të dakordohemi dhe kështu të ndërtojmë një frymë bashkëpunimi për këtë temë kaq të rëndësishme për vendin”, ka shkruar Veseli.