15:33 - Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, e ka quajtur konstruktiv dhe përmbajtësor takimin e sotëm me liderët politikë.
Ai ka thënë se sot janë marrë vesh që të trajtohet secila temë e rëndësishme veç e veç, në takimet e radhës në mënyrë që të arrihet pajtueshmëri për një platformë konsensuale.
“Falënderoj të gjitha subjektet politike që sot iu përgjigjen ftesës për dialog rreth temave me interes nacional, siç janë; Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, Agjenda e Integrimeve Evropiane, Dialogu me Serbinë, Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe Reforma Zgjedhore. Ishte një debat tejet konstruktiv dhe mjaft përmbajtjesor. Dakordimi i parë është se nga mbledhja e radhës do ta trajtojmë veç e veç secilën temë, në mënyrë që të arrijmë pajtueshmëri për një platformë konsensuale”, ka shkruar ai në Facebook.
Limaj: Dialogu me Serbinë duhet të ketë konsensus politik
14:35 - Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas tryezës politike të thirrur nga PDK, tha se pas takimeve të tilla duhet të dilet me qëndrime konkrete.
Sipas tij, nga takimi i ardhshëm duhet diskutuar për një temë të veçantë. Ai ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të ketë një konsensus politik, shkruan KP.
Limaj shtoi se në takimin e sotëm është folur edhe për reformën zgjedhore.
Haradinaj nuk sheh interesim nga askush për zgjedhje të jashtëzakonshme
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk po sheh interesim nga askush për zgjedhje të jashtëzakonshme, pavarësisht se partitë opozitare, LDK-ja dhe VV-ja vazhdimisht po i kërkojnë.
Këtë deklaratë, Haradinaj e dha pas tryezës politike të ftuar nga PDK-ja, raporton KP.
Ai po ashtu është shprehur se nuk sheh ndonjë shenjë për mocion mosbesimi për ta rrëzuar Qeverinë.
Sa i përket tryezës, Haradinaj është shprehur se AAK-ja është e hapur për një platformë të dialogut.