Grafite kundër një postimi të analistit Xhevdet Pozhari janë vendosur në kryeqytet sot.
Pozhari në një status në Facebook për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj ka thënë se duhet angazhim në edukimin e djemve në shoqëri për respektimin e gjinisë femërore, duke shtuar gjithashtu se duhet rikujtuar vajzave se “nuk është me rëndësi vetura Audi A8, por gomari që e nget atë”.
Deklarata e fundit është kritikuar nga shumë ndjekës së tij, duke thënë se me këtë deklaratë ai po e arsyeton vrasësin e vajzës.
Grafitet “Kush mendon si Xhevdeti vepron si Dardani” janë vendosur në qendër të kryeqytetit, përkatësisht te Teatri Kombëtar dhe Ministria e Kulturës.
Grafitet janë bërë nga Profili i iniciativës së gjimnazistëve të Prishtinës, “Traumë jo lojë” të cilët i kanë publikuar vet fotografitë e grafiteve në faqen e tyre në Instagram.
Pozhari tutje në një postim tjetër në Facebook ka shkruar se deklaratat e tij janë devijuar.
“Ka kohë që për cilindo qëllim deklarimet e mia mundohen t'i devijojnë. Në mungesë të kundëragrumenteve përpiqen të më bëjnë shënjestër. Më duhet ta potencoj: Unë kam thënë atë që kam shkruar, e jo atë që doni ta lexoni ju! Fillimisht, mësohuni ta lexoni atë që është shkruar, e jo atë që ju mendoni se është thënë”, ka shkruar ai.
Gjatë ditës së djeshme një vajzë 18-vjeçare është dërguar në Spitalin e Ferizajt pa shenja jete. E njëjta dyshohet se është vrarë nga një person i cili ende është në arrati.