Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu ka vizituar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe kampin "Vrella".
Ai është njoftuar nga afër me punën e njësisë speciale të Policisë.
"Ju premtoj se do ta kem vëmendjen e veçantë kah ju në përkrahjen që e meritoni. Ju e mbani një barrë shumë të rëndë në mbajtjen e rendit dhe qetësisë dhe në luftimin e krimit, terrorizimit, menaxhimit të kufirit dhe punë të tjera. Jam i vetëdijshëm që Policia është e ndërtuar mirë por na duhet të punojmë bashkërisht ende më shumë", ka thënë Veliu, raporton KTV.
Ministri Veliu pasi përfundoi vizitën tek Njësitet e Specializuara të Policisë së Kosovës, tha se qëllimi i tij kryesor gjatë këtij mandati është që të lë ministrinë më mirë se e ka gjetur.
“Qëllimi kryesor i im i si ministër i Punëve të Brendshme me gjitha agjencionet ta bëjmë një sistem i cili duhet të jetë i besueshëm për qytetarin e Republikës së Kosovës, për partnerët ndërkombëtar, për regjionin, por edhe për gjithë ata që bashkëpunojmë. Qëllimi kryesor i imi është që këtë ministri ta lë më mirë se sa e kam gjetur”, tha ai, përcjell kp.
I pyetur se a pritet të ketë fatin e njëjtë ndonjë nga eprorët e Policisë së Kosovës, sikur bordet e tjera publike të shkarkuara nga Qeveria Kurti, Veliu tha se pasi të bëjë një lloj skanimi, do të vijë në përfundim se çka ka nevojë të ndërmarrë ai si ministër.
“Do të bëj një vizitë tek të gjitha, do të njoftohem me organo gramët e këtyre agjensioneve, me punët, me sfidat. Cilat janë prioritet e tyre, një-dy-tre të zëmë. Cilat janë sfidat e tyre. Do të kërkoj nga ata që të më thonë cilat janë pritjet e tyre nga unë. Pasi që të bëj një lloj skanimi siç po thuhet të të gjithë ministrisë dhe agjensioneve, atëherë do të vij në një përfundim se çka ka nevojë të ndërmarrë unë si ministër, në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të mija si ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, tha ai.
Veliu tregoi detaje edhe nga takimi i sotëm me eprorët e Policisë së Kosovës, ku tha se iu ka kërkuar atyre që të rishikojnë të gjitha ligjet, udhëzimet administrative dhe vendimet me të cilat rregullohet fushëveprimtaria e Policisë.
“Ne diskutuam për përkrahjen konkrete që duhet të i japim policisë përmes rritjes së buxhetit. Kontributit tonë të përbashkët të ministrisë dhe policisë në anëtarësimin e Policisë së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar. Por edhe në hartimin e ligjeve dhe rregulloreve dhe rishikimi e tyre atje ku ka nevojë. Në rast se eventualisht ka ndonjë mangësi. Unë kërkova nga menaxhmenti që t’i rishikojë të gjitha ligjet me të cilat rregullohet fusha e policisë, gjitha udhëzimet administrative, urdhëresat, vendimet e ndryshme. Në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë për nevojat dhe kërkesat që i ka policia në këtë rast”, tha ai.