Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ORCA e akuzoi për mashtrime, Vela paralajmëron padi ndaj kësaj organizate

Nëpërmjet një aktiviteti protestues, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, ngriti akuza për tentim-kapjen e agjencive të pavarura shtetërore nga eksponentët e pushtetit. E akuzoi ish-kandidatin për anëtar të bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Driton Vela, për mashtrim në përgatitjen akademike. Këto akuza Vela i quajti shpifje. Ai paralajmëroi padi ndaj organizatës

Me pankartat me shkrimin “Tentim-kapja e Arsimit të Lartë”, vendosur para objektit të Ministrisë së Arsimit, përfaqësues të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim mbajtën një aksion protestues për denoncimin e asaj që e kualifikuan si tentim për kapjen e agjencive të pavarura shtetërore nga eksponentë të pushtetit.

Koordinatori i aktiviteteve të ORCA-s, Dibran Hoxha, ka thënë të jenë gjetur parregullsi në konkursin për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditimi, teksa e akuzoi njërin nga ish-kandidatët për këtë pozitë, për mashtrim në përgatitjen akademike.

“Tentativa e Driton Velës për ta kapur këtë pozitë dështoi, meqë përgjatë shqyrtimit të aplikimeve, Komisioni zbuloi një fakt shokues. Driton Vela kishte tentuar ta mashtronte komisionin, duke deklaruar në CV-në e tij dhe në formularin e aplikimit se në vitin 2021 kishte qenë bartës i programit të doktoratës Mjekësi Paraklinike në Universitetin e Prishtinës, kjo e dhënë po të mos zbulohej nga komisioni vlerësues, do bënte që ai me automatizëm të rangohej më lart në listën e të rekomanduarve për anëtarë të KSHC-së”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka paraqitur tetë pika në të cilat pretendoi se janë gjetur mashtrime e shkelje gjatë hulumtimit të punës së Velës.

Këto akuza të Hoxhës i ka quajtur shpifje asistenti në Fakultetin e Mjekësisë, Driton Vela, duke paralajmëruar edhe padi.

Edhe ORCA thotë se Driton Vela ka mashtruar për punën shkencore dhe të arriturat në të kaluarën Arbëri ORCA thotë se Driton Vela ka mashtruar për punën shkencore dhe të arriturat në të kaluarën

“Të kontestohen arritjet e dikujt që është shpallur shkencëtar i vitit e që është vlerësuar prej të tjerëve... çfarë bëjnë ata, janë kapur për disa fjali të cilat i interpretojnë sipas qejfit të tyre, në mënyrë që disi të kapen për mua. P.sh. thonë që paskësha shpifur, gënjyer kur kam deklaruar që i kam përfunduar studimet e doktoratës në Shkup. A unë kurrë nuk e kam thënë këtë. Unë veç kam thënë që studimet, pjesën praktike, meqenëse këtu në Prishtinë nuk kanë ekzistuar kushtet laboratorike, i kam kryer në Shkup. Kjo është shumë e qartë edhe prej CV-së time”, ka thënë Vela.

Ministria e Arsimit e pati anuluar në qershor konkursin për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, shkaku i disa lëshimeve të evidentuara teknike. E në korrik, Kuvendi e ka zhbllokuar vendimmarrjen në këtë Agjenci, duke e emëruar një anëtar ndërkombëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.