Haradinaj i quan deklaratat e Veselit “të turpshme” dhe “servilizëm”. Kryeministri ka reaguar ndaj deklarimeve që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i ka bërë në Washington, ku ka kritikuar Haradinajn se po mban qëndrim të njëjtë si ndaj Serbisë, ashtu edhe ndaj SHBA-së
Kanë vazhduar përplasjet ndërmjet liderëve të koalicionit në pushtet. Pas kritikave të kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njeriut numër një në PDK, Kadri Veseli, në adresën e partnerit të tij të Qeverisë, kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar kreu i Qeverisë.
Në një intervistë për emisionin “Rubikon” të KTV-së, Haradinaj e ka akuzuar Veselin për “servilizëm”, ndërsa e ka cilësuar “të turpshëm” krahasimin që Veseli ua ka bërë qëndrimeve të Haradinajt ndaj Serbisë dhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Është e turpshme një udhëheqës i Kosovës me ba një asi asimetrie, një krahasim të qasjes së cilitdo tonit në Kosovë dhe me thanë që ‘sillesh si me Serbinë, si me Amerikën’”, ka thënë Haradinaj, duke saktësuar se është e turpshme nga kryeparlamentari Veseli që ka bërë një krahasim të tillë.
Haradinaj, tutje, ka mohuar se qasja e tij ndaj SHBA-së është e njëjtë sikur ndaj Serbisë.
“Amerika është familja ime. Por në familje ndodh ndonjë mospajtim. Dhe këtë po ua shpjegoj Kadri Veselit e Hashim Thaçit, e të tjerëve. Nuk je i mirë për Amerikën nëse nuk e mbron interesin tënd”, ka thënë Haradinaj.
Ai, tutje, ka thënë se Washingtoni duhet të dëgjojë një mesazh të pastër nga Kosova. “Nuk mundem me dhanë territor. Nuk preket territori i vendit tim. Nuk mundem me dhanë Zajednicën si të tipit të Dodikut, se hyn Rusia brenda dhe bën problem”, tha Haradinaj, duke theksuar se tregtia e lirë, pa taksa, mund të kthehet në këmbim pas njohjes. “Nëse kjo qenka kundër Amerikës, dhe qenka njëjtë si me ia thanë Serbisë – është e pakuptimtë”, tha ai, duke e cilësuar një pozicionim të tillë të Kadri Veselit “servilizëm”.
Këto deklarime të Haradinajt në “Rubikon” janë bërë pas kritikave që i ka bërë Kadri Veseli mbajtjes së taksës 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës. Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës në Washington, ku gjendet për një vizitë, Veseli ka thënë se ka dallime mes tij dhe Haradinajt kur bëhet fjalë për çështjen e taksës dhe për dialogun me Serbinë.
“Dhe ka një pragmatizëm ku unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë të bartet njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian. Ky është dallimi mes meje dhe kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim”, ka thënë Veseli për Zërin e Amerikës. “Kur flas për Serbinë, edhe 1000% ia vë taksën, por kur flasim me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian ne duhet të jemi pragmatikë, duhet të jemi pak më të mençur. Kjo është çështja që dallon”, ka theksuar ai.
Veseli ka thënë se pozicioni i tij është që Kosova ka të drejtën legjitime të marrë vendimet të cilat janë qoftë tarifa, qoftë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial e institucional, por se “duhet ta dimë, i gjithë populli ynë e di: populizmi është një opium që krijon një favor në një moment të caktuar për politikanë të caktuar”.
“Për periudhën afatgjatë ne duhet të jemi të mençur dhe nuk kemi rrugëtim tjetër pa SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, nuk mund të jemi të suksesshëm në qëllimin që kemi. Në qoftë se i vëmë bashkë: SHBA-në, Bashkimin Evropian, si dhe çështjen tarifën dhe Serbinë është gabim. Ne duhet të gjejmë momentumin dhe rrugën e cila e dallon Serbinë nga gjuha e cila përdoret ndaj nesh nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja. Për këtë arsye thashë, për Serbinë e vë edhe 1000% tarifën, por me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në ne tregojmë se jemi tolerantë”, ka thënë Veseli, duke përsëritur propozimin e tij që taksa e vendosur të pezullohet përkohësisht. (Detajet tjera mund të gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)