Seanca plenare e Kuvendit, e cila dje u ndërpre në mungesë kuorumi, ka vazhduar sot, por me mospajtime midis deputetëve të pozitës e opozitës në lidhje me përparësinë e trajtimit të pikëve të rendit të ditës. Për pasojë, drejtuesja e seancës ka dhënë një pushim 15 minutash, me shpresën se gjatë kësaj kohe do të merren vesh si të vazhdohet.
Derisa po harmonizohet teksti i Propozim-rezolutës nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP-të Lëvizjes Vetëvendosje dhe GP të LDK-së, në lidhje me vendimin e Qeverisë për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në kontratën për ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi që pikë e parë e rendit të ditës të hyjë propozimi i kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për shkak se pasdite pritet të mungojnë.
Kjo nuk është përkrahur nga LDK dhe Vetëvendosje. Në fund propozimi i Krasniqit nuk kaloi, derisa kryesuesja dha pauzë prej 15 minutave.