Kuvendi i Kosovës po mban seancën e radhës, ku në rend të ditës janë 28 pika, ndër të cilat edhe dy interpelanca për kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ndër pikat e paraparë, shumica e të cilave janë me rëndësi, është edhe shqyrtimi i projekt-platformës shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, me të cilën Kuvendi do të shqyrtojë mandatin e Presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka thënë se seancat e papërfunduara janë të datave 16, 17, 18, 20, 26, 31 maj dhe 1 qershor. Tani e ka lënë në dorë të deputetëve të vendosin se a të hiqen këto seanca nga rendi i ditës apo të fillohet me të reja.
Seanca ka filluar me një debat nga LDK, VV-ja, ku deputetja e VV-së Albulena Haxhiu, kërkon të fillohet me seancë për shqyrtimin e projekt-platformës shtetërore për finalizimin e dialogut.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se nuk është vendosur të vazhdohet me seancat e kaluara dhe deputetët duan të vazhdojnë me seancë të re.
“Deputetët s’janë informuar që seancat e papërfunduara të vazhdojnë sot”, tha ai.