Lëvizja “Vatra” ka akuzuar Drejtorinë komunale të Inspektoratit se nuk është duke e zbatuar Ligjin për kontrollin e duhanit. Sipas këtij subjekti pirja e duhanit në hapësirat e mbyllura është më e theksuar tek lokalet hoteliere. Për këtë shkak, ky subjekt ka paralajmëruar denoncimin e lokaleve ku konsumohet duhani.
Madje, sipas kryetarit Kushtrim Kadriu, vetë zyrtarët komunalë nuk e respektojnë Ligjin për kontrollin e duhanit, shkruan sot Koha Ditore.
“Arsyeja pse nuk merren masa është ngase janë të shantazhuar, sepse vetë shefat e tyre konsumojnë duhanin në ambiente të mbyllura. I pari i komunës e konsumon më së shumti duhanin në veturë, në rrugë, në kafene dhe të mos presim që zyrtarët e tjerë të vetëdijesohen. Do të ketë padi ndaj atyre zyrtarëve të cilët janë të thirrur që ta zbatojnë ligjin, mirëpo të cilët këtë detyrë nuk janë duke e kryer. Kemi edhe dëshmi sesi pihet duhani nëpër ambiente të mbyllura dhe jemi në proces të mbledhjes së dëshmive të tjera”, ka thënë ai.
Ndërkaq Drejtoria e Inspektoratit nuk ka shqiptuar asnjë gjobë këtë vit ndaj atyre që kanë shkelur Ligjin e duhanit, me arsyetimin se me këtë çështje më shumë merret niveli qendror i qeverisjes. Drejtori i Inspektoratit , Nevzad Rushiti, ka deklaruar se ata kanë shqiptuar gjoba ndaj atyre që e kanë degraduar mjedisin dhe keqpërdorin ujin e pijshëm.
“Kemi gjoba të shqiptuara për mbrojtjen e ambientit, për zjarret dhe për hedhjen e mbeturinave, si dhe për keqpërdorimin e ujit të pijes. Duhani shkon pak me Ministri, dhe vetëm i kisha cek këto tri për hedhje të mbeturinave, zjarre dhe keqpërdorim të ujit të pijes”, ka thënë Rushiti.
Edhe
Aksione inspektuese për shitjen e cigareve elektronike në afërsi të shkollave
Kritik ndaj punës së Drejtorisë së Inspektoratit është edhe këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arianit Sadiku. Sipas tij, Drejtoria e Inspektoratit nuk është në nivelin e detyrës.
“Në Komunën e Gjilanit nuk respektohet ligji dhe nuk ka fare inspektim dhe nuk ka lokal që nuk pihet duhani brenda, kurse komuna shumë pak reagon. Ka qenë tolerim i skajshëm dhe neglizhencë e punës së drejtorëve komunalë për shkak të fushatës zgjedhore dhe nuk i kanë ushtruar detyrat dhe kompetencat e tyre gjatë kësaj periudhe, ku e kanë lënë në kaos total. Komplet fokusi i qeverisjes lokale ka qenë në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme dhe për këtë arsye edhe rezultatet e drejtorive komunale janë të dobëta”, ka thënë ai.