Ambasadori i Kosovës në Australi dhe Ambasador jo-rezident në Zelandë të Re, Sabri Kiçmari, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Vanuatu, ka takuar zyrtarë të lartë të këtij shteti, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e arsimit, tregtisë, turizmit dhe sportit.
Kryeministri në detyrë i Vanuatus, Joe Natuman, ka rikonfirmuar mbështetjen e këtij shtetit për Kosovën, si pjesë e politikës së jashtme të Vanuatus në mbështetje të popujve që luftojnë për liri dhe pavarësi.
Ambasadori Kiçmari e ka falënderuar kryeministrin në detyrë Joe Natuman për rolin e tij të jashtëzakonshëm, përkundër lobimit të fortë, në njohjen e Kosovës, në kohën kur ai ishte ministër i jashtëm, dhe lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve, duke premtuar se do të angazhohet që marrëdhëniet në mes të dy vendeve të thellohen në fusha të interesit reciprok.
Ndërsa, ministri i Jashtëm i Vanuatus Bruno Leingkone Tau ka rikonfirmuar qëndrimin mbështetës për integrimin e Kosovës në strukturat dhe organizatat ndërkombëtare.
Ambasadori Kiçmari e ka falënderuar ministrin e Jashtëm për mbështetjen e Qeverisë së Vanuatus me rastin e votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO dhe për një linjë standarde mbështetjeje të gjithanshme për Kosovën, përkundër distancës së madhe gjeografike.
Edhe
Vazhdon shtrirja e shërbimit diplomatik e Kosovës në Paqësor
Ministri Tau dhe ambasadori Kiçmari kanë identifikuar si fusha të bashkëpunimit në mes të dy vendeve mbështetjen e njëri-tjetrit në strukturat ndërkombëtare, dhe shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit në fushën e arsimit, tregtisë, turizmit dhe sportit.
Ndërsa në takimet me ministrin e Arsimit dhe atë të Rinisë dhe Sporteve është biseduar për mundësitë e shkëmbimeve në mes të dy vendeve në këto fusha.