Arbëri

USAID-i mbështet 84 biznese nga 16 komuna të Kosovës

Drejtoresha e nga Departamentit për Demokraci dhe Qeverisje, Christina T. Davis morri pjesë në ceremoninë përmbyllëse të projektit Market Linkage (Lidhja e Tregut) për 84 përfitues të granteve të biznesit të programit të USAID-it “Avancojmë Kosovën së Bashku - Zgjidhja Vendore (AKT LS)”, i cili implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar CDF.

Gjatë muajve të kaluar, kompania Recura Consulting e cila është duke e implementuar këtë projekt, ka organizuar aktivitete të ndryshme duke synuar në inkurajimin e bizneseve për të krijuar më shumë lidhje në treg, me fokus në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dh integrimin e tyre në tregjet më të mëdha brenda dhe jashtë vendit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media, transmeton Koha.net.

“Bizneset gjithashtu janë trajnuar në fushën e komunikimit të integruar të marketingut dhe janë pajisur me mjetet e nevojshme moderne të marketingut siç janë logot, faqet e internetit, prani në rrjete sociale dhe kanë mësuar për rëndësinë e tyre në mënyrë që të krijojnë një plan më të mirë dhe efikas për arritjen e qëllimeve të marketingut dhe shitjes”, thuhet në komunikatë.

Gjatë kësaj ngjarje janë organizuar gjithashtu takimet B2B (Biznes me Biznes) dhe B2C (Biznes me Konsumator), në të cilat të gjitha bizneset pjesëmarrëse në projekt i kanë shfaqur mesazhet e reja të komunikimit, mjetet dhe qasjet për të përmirësuar penetrimin në treg dhe gjithashtu janë takuar me aktorët më të mëdhenj në tregun Kosovar me qëllim krijimin e lidhjeve të reja të tregut dhe shkëmbimin midis NVM-ve dhe aktorëve të tregut me qëllim të gjetjes së partnerëve dhe / ose të eksplorimit të mundësive të reja të biznesit.

Programi USAID AKT është një program i financuar nga USAID-i i cili implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, i cili ka për qëllim të forcojë komunikimin pozitiv dhe konstruktiv ndëretnik, duke u përqendruar në problemet, nevojat dhe zgjidhjet e përbashkëta si dhe mundësitë më të mira për integrimin e tregjeve minoritare me tregjet e shumicës. A

KT LS vepron në partneritet të drejtpërdrejtë me 16 komuna: Graçanicën, Kllokotin, Novobërdën, Parteshin, Ranillugun, Shtërpcen, Gjilanin, Istogun, Klinën, Obiliqin, Pejën, Vushtrrin, Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin.

USAID përmes programit AKT LS deri më tani ka mbështetur më shumë se 200 biznese të kategorive të ndryshme në të gjitha komunat e shënjestruara.