Studentët e nivelit bachelor të Universitetit të Prishtinës, që janë në pritje të diplomimit, shumë shpejt mund t’i mbrojnë temat e tyre në mënyrë virtuale.
Për këtë çështje, Universiteti i ka ftuar njësitë akademike që t’i bëjnë përgatitjet e duhura teknike e ligjore që studentët e interesuar t’i mbrojnë në këtë formë temat e diplomave, raporton KOHA.
Prorektori për mësim dhe çështje të studentëve, Hysen Bytyqi, ka deklaruar për “Kohën”, se kjo do të nisë një herë me nivelin bachelor e më pas edhe master.
Sipas tij, studentët e nivelit bachelor mund të konsultohen me mentorët e tyre dhe që nga java e ardhshme mund t’i nisin procedurat për mbrojtje të diplomës online.
Universiteti i Prishtinës përmes një njoftimi ka theksuar se detajet për mbrojtje të temave përmes metodës virtuale do të sqarohen përmes një udhëzuesi që do t’u dërgohet të gjitha fakulteteve.
Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, mbrojtja e temave të diplomave në mënyrë virtuale mund të realizohet pa problem.
Kjo pasi siç thotë ai është më shumë akt ceremonial, sesa një provim i mirëfilltë.
Ndërkaq, për mbajtjen e provimeve online, Pupovci thotë se kjo është më problematike për shkak të numrit të madh të studentëve dhe mungesës së kufizuar të kontrollimit.
Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se menaxhmenti i tij është duke u angazhuar të gjejë format më të përshtatshme që provimet e afateve të rregullta të realizohen në mënyrë virtuale.
Ndërkaq, sa i përket afatit të prillit, UP-ja ka njoftuar se mbajtja e provimeve online është e parealizueshme për çka ka kërkuar mirëkuptim nga të gjithë studentët.